Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gjërat tona/ Saranda, krime pa ndëshkim. Kërcënime me tritol e dy të vrarë pas plagosjes së vitit 2025

schedule20:50 - 4 Tetor, 2026

schedule 20:50 - 4 Tetor, 2026

Një mëngjes i zakonshëm në qytetin bregdetar të Sarandës, më 20 shtator 2026 u kthye në skenë krimi.

Një 44-vjeçar sapo kishte pirë kafen dhe po largohej, për të vijuar ritinën e tij të përditshme.

Në pak sekonda, dy persona me motor dhe skafandra i afrohen. Njëri zbret dhe shkon të trotuar pranë tij. E qëllon me pistoletë. Ndodh një përleshje e shkurtër. 44-vjeçari që ishte rrëzuar ndërkohë, çohet dhe nisë të vrapojë në drejtim të kundërt. Por autori nuk dorëzohet. E ndjek me vrap, duke mbajtur dy pistoleta në duar dhe e qëllon në mes të kryqëzimit.



Artan Myrtaj, rrëzohet i vdekur në vend. Ndërsa një 73-vjeçar, kalimtar i rastësishëm mbetet i plagosur.

Vrasësi hipën në motorin që i afrohet dhe të dy “zhduken”.

Por këtë herë ka një detaj që e bën këtë vrasje shumë më tepër se një tjetër atentat në Sarandë. Vendi ku ndodh gjithçka është vetëm disa dhjetëra metra larg Komisariatit të Policisë.

Një ekzekutim në mes të qytetit, në një orë kur rrugët janë të gjalla, me autorë që lëvizin me motor dhe një viktimë që nuk ishte një emër i panjohur për Policinë lokale.

Sepse Artan Myrtaj ishte pjesë e një historie që Saranda e njeh prej më shumë se një viti. Një histori që nisi më 17 korrik 2025. Dhe që u kthye në një zinxhir përplasjesh, herë me mesazhe me eksploziv, me kërcënime dhe tashmë me dy të vrarë.

Në atë ditë korriku të vitit 2025, në një tjetër përplasje me armë, mbetën të plagosur Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.

Në atë dosje u përfshinë disa emra, mes tyre edhe Artan Myrtaj.

Por pas asaj dite, historia nuk u mbyll, përkundrazi. Pak ditë më vonë, një makinë shpërtheu nga tritoli. Më pas erdhi një tjetër arrestim. Më pas një tjetër atentat, po me eksploziv, ku mbeti i vrarë babai i një prej protagonistëve të asaj ngjarjeje. Dhe një vit më vonë ekzekutohet Artan Myrtaj. Në mes të qytetit, në sy të kalimtarëve, nën monitorimin e kamerave të sigurisë dhe shumë pranë Komisariatit.

Një demonstrim force dhe një sfidë e hapur, jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për vetë Policinë.

Emra që lidhen me një ngjarje, që nuk përjashtojnë mundësinë e atentateve të shkëputura, por që në fakt duken më shumë si vazhdim i një konflikti që askush nuk ka siguri nëse do të prodhojë edhe viktima të tjera.

Hetimi është ende në zhvillim. Policia ka persona të dyshuar, por asnjë i identifikuar plotësisht, me prova shkencore dhe ligjore.

Dhe askush nuk mund të thotë ende me siguri se kush qëlloi e aq më pak kush e dha urdhrin.

Ajo që dihet tashmë, është se në Sarandë, një histori e nisur me një konflikt për pronën, e ndjekur nga plagosje, arrati, arrestime, tritol dhe një vrasje, tashmë ka marrë një tjetër kthesë. Një tjetër njeri është vrarë.

Dhe këtë herë, plumbat janë dëgjuar pranë Komisariatit të Policisë.

Një histori e një zinxhiri kriminal, që prej më shumë se një viti po lë pas gjurmë gjaku në Sarandë.

MOMENTI I VRASJES

Është ora 09:50 e mëngjesit të 20 shtatorit 2026.

Në një prej tavolinave buzë trotuarit, në një lokal në zonën e njohur si ish-Agjencia, në Sarandë, është ulur Artan Myrtaj, i njohur në qytet edhe si “Tani i Ruzhdiut”. Ai shoqërohet nga një person tjetër. Kamera e sigurisë së një biznesi përballë regjistron gjithçka.

Myrtaj është ulur me shpinën pas murit dhe me fytyrën nga rruga. Pozicion që i jep mundësi të shohë lëvizjet përpara tij. Për disa minuta, gjithçka duket normale. Herë bisedon me personin që ka përballë, herë kontrollon telefonin.

Nuk ka asgjë që të tregojë se vetëm pak minuta më vonë, e njëjta kamerë do të regjistrojë momentet e fundit të jetës së tij.

Në rrugë ka pak lëvizje. Disa makina kalojnë qetësisht. Kalojnë edhe këmbësorë. Një mëngjes i zakonshëm në Sarandë. Por jo për Artan Myrtajn.

Në orën 09:52, 44-vjeçari ngrihet nga tavolina. Përshëndetet me personin që kishte në tavolinë. Kthen edhe një herë filxhanin e kafesë dhe nis të largohet.

Ecën përgjatë trotuarit, pa e ditur se vetëm pak metra më tej e pret atentati. Papritur, në drejtim të tij afrohet një motor me dy persona. Të dy me skafandra. Njëri prej tyre zbret. Dhe gjithçka ndodh në pak sekonda.

Autori i afrohet Myrtajt dhe qëllon. 44-vjeçari rrëzohet në tokë, por nuk qëndron aty. Ngrihet, përpiqet të largohet me vrap. Tenton të shpëtojë, por autori nuk ndalet. E ndjek nga pas. Dhe pikërisht në këto momente, kamera regjistron një tjetër detaj të atentatit. Në duart e autorit shfaqen dy pistoleta. Sipas të dhënave të bëra publike nga grupi hetimor, njëra prej tyre ishte me silenciator. Pamjet e publikuara më vonë tregojnë autorin duke përdorur armën e parë dhe më pas armën tjetër.

Ndërkohë, personi që kishte qenë duke pirë kafe me Myrtajn, sapo sheh skenën, futet me vrap brenda lokalit. Autori vazhdon ndjekjen. Myrtaj vrapon në drejtim të kryqëzimit. Por edhe aty nuk arrin të shpëtojë. Një tjetër kamerë sigurie kap momentet e fundit të ndjekjes.

Autori vazhdon të qëllojë. Dhe pak metra më tej, Artan Myrtaj rrëzohet përfundimisht në mes të kryqëzimit. Autori i afrohet dhe e qëllon sërish. Pastaj kthehet me shpejtësi drejt motorit. Bashkëpunëtori, i cili gjatë gjithë kohës e ka pritur me motor, i afrohet. Autori hipën dhe të dy largohen.

Brenda pak sekondash, dy personat zhduken nga zona. Pamjet e sigurisë tregojnë më pas edhe drejtimin e largimit të tyre. Hetuesit kanë verifikuar lëvizjet e tyre dhe pistën e largimit drejt Konispolit, ndërsa është shqyrtuar edhe mundësia e kalimit drejt Greqisë.

Artan Myrtaj mbetet i shtrirë në rrugë. Por atentati nuk ka prekur vetëm atë. Një nga plumbat ka goditur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili në atë moment ndodhej rastësisht në rrugë. Një kalimtar. Një njeri që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin. Ai plagoset dhe dërgohet për ndihmë mjekësore. Ndërsa në vendngjarje nis kaosi.

Por pas të shtënave dhe largimit të autorëve, në vendngjarje nis një tjetër skenë.

Pak minuta më vonë, në vendngjarje mbërrin nëna e 44-vjeçarit. Ajo kërkon të shohë të birin.

Por Artan Myrtaj është ende aty. I pajetë, në të njëjtin asfalt ku pak minuta më parë u përpoq të shpëtonte nga vrasësit.

Policia përpiqet ta mbajë larg.

Por ajo kërkon vetëm një gjë… të shohë djalin e saj. Ndërkohë, ata që e vranë, tashmë ishin larguar.

Në pak minuta, vendi ku pak çaste më parë kishte njerëz që pinin kafe dhe kalimtarë që lëviznin në rrugë, kthehet në një skenë krimi.

Më pas nis kërkimi për dy personat që vetëm pak çaste më parë kishin ekzekutuar 44-vjeçarin në mes të Sarandës. Një atentat i realizuar në pak minuta. Por i planifikuar në detaje.

Autorët kishin skafandra. Kishin maskuar identitetin. Lëviznin me motor. Njëri priste në timon. Tjetri zbriti dhe kreu ekzekutimin. Dhe më pas të dy u larguan së bashku.

Në vendngjarje mbeten gëzhojat dhe pamjet e kamerave të sigurisë, tashmë prova kryesore për rindërtimin e itinerarit të tyre. Policia ngriti menjëherë pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa hetuesit nisën të marrin në pyetje personat që ndodheshin në zonë. Por kërkimi nuk kufizohet vetëm në rrugë.

Policia njofton se kontrollet shtrihen edhe në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës, përfshirë vëzhgimin e territorit me dronë. Çdo sekondë e regjistruar nga kamerat mund të jetë e rëndësishme për rindërtimin e itinerarit të tyre.

Në vendngjarje janë sekuestruar edhe rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, ndërsa rreth 20 persona që ndodheshin në zonë janë marrë në pyetje. Por pavarësisht kontrolleve dhe postblloqeve, në ditët e para pas atentatit nuk ka një autor të arrestuar. Dhe pikërisht këtu nis një tjetër pjesë e kësaj historie.

Kush ishte Artan Myrtaj? Sepse për grupin hetimor, kjo nuk ishte thjesht një vrasje e rastësishme. Artan Myrtaj kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu. Ai kishte vuajtur dënimin për përkrahje të autorit të krimit, një akuzë që lidhej me një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Sarandë, në korrik të vitit 2025. Dhe pikërisht te ajo ngjarje janë përqendruar hetimet. Burime pranë grupit hetimor kanë ngritur dyshimin se vrasja e Myrtajt mund të jetë vazhdim i atij konflikti. Një pistë që, nëse konfirmohet, do ta vendoste këtë ekzekutim në fund të një zinxhiri ngjarjesh që nisi më shumë se një vit më parë.  Një plagosje, një arrati, kërcënime, një makinë e hedhur në erë, vrasja e Isuf Jaçajt. Dhe tani Artan Myrtaj.

Hetimi ende duhet të tregojë nëse këto ngjarje janë pjesë e së njëjtës histori. Por pamjet e 20 shtatorit tregojnë diçka tjetër, ndoshta edhe më tronditëse. Një atentat i organizuar, i kryer në mes të ditës, në një zonë të populluar dhe vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së Sarandës.

VRASJA ME EKSPLOZIV

Ora ishte 22:50 kur në qytetin e Sarandës u dëgjua një shpërthim i fortë. Ishte data 5 tetor 2025, kur në lagjen nr.3, Policia gjeti një makinë të shkatërruar që pas shpërthimit u përfshi edhe nga flakët. Në makinën tip “Toyota”, u gjet trupi i pajetë i një personi, që më pas u identifikuar si 58-vjeçari Isuf Jaçaj.

Për rreth një orë, para se të ndodhte ngjarja, ai kishte qenë në një lokal aty pranë me disa miq. Më pas është çuar nga tavolina dhe është drejtuar për tek makina që e kishte parkuar shumë afër lokalit dhe do të shkonte në shtëpi. Sapo ka ndezur makinën, lënda plasëse e vendosur poshtë saj, që dyshohet të ketë qenë rreth 500 gramë eksploziv, ka shpërthyer. Shpërthimi sipas Policisë është kryer nga distanca. Janë hasur vështirësi në dokumentimin e plotë të ngjarjes, pasi nuk ka kamera sigurie nëpër biznese që të kenë filmuar qoftë momentin e shpërthimit, apo momentin kur është vendosur eksplozivi në makinë.

Pas një ngjarje të tillë, veprimet e para hetimore lidhen me viktimën. Të shkuarën e tij, familjen dhe rrethin shoqëror, në mënyrë që të ngrihen pistat për zbardhjen e ngjarjes.

Isuf Jaçaj, vitet e fundit punonte në sektorin e turizmit, duke transportuar turistët me skaf drejt destinacioneve të ndryshme në bregdetin e Sarandës.

Në arkivat e Policisë së Sarandës, emri i Isuf Jaçajt figuron i regjistruar në dy ngjarje ku ka mbetur i plagosur. Fillimisht në një shkëmbim zjarri ku u hodhën edhe granata në vitin 1996, në lagjen nr.4, në Sarandë, kur edhe u arrestua pasi në shtëpi iu gjetën një pistoletë dhe një krehër me fishekë. Vite më vonë Jaçaj përfshihet në një tjetër ngjarje, ku fatmirësisht i shpëton plumbave. Më 13 tetor të vitit 2011, Policia arreston një 28-vjeçar nga Fieri, me banim në Sarandë, pasi dyshohej se kishte qëlluar me automatik ndaj dy personave. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Adem Shena”, në lagjen Nr. 3 në Sarandë. Autori i dyshuar, Edjon Muskaj, sot pronar i disa bizneseve në Sarandë, qëlloi tri herë me automatik në drejtim të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa të huaja, ku ndodhej Isuf Jaçaj dhe drejtues mjeti ishte Arjan Lushkaj, nga Mallakastra, me banim në Sarandë. Menjëherë pas të shtënave autori i dyshuar u largua me një automjet tip “Audi A4” ngjyrë gri. Policia gjeti në vendin e ngjarjes dy gëzhoja dhe fishekë.

Megjithatë, asnjëra nga këto ngjarje nuk rezulton të ketë lidhje me atentatin me eksploziv të datës 5 tetor 2025, ku Isuf Jaçaj mbeti i vrarë.

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Sarandës, janë fokusuar tek një krim i mundshëm me motive hakmarrje, që lidhet më shumë me djalin e tij, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, për akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Jaçaj është babai i 31-vjecarit Klaus Jaçaj, i cili dushohet se strehoi një nga autorët e dyshuar për ngjarjen e ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama nga Kamza.

Madje, ekzekutimit me eksploziv të Isuf Jaçajt, i parapriu një tjetër ngjarje, po me eksploziv në makinë, por fatmirësisht pa të lënduar. Disa ditë pasi kishte ndodhur plagosja në Sarandë, konkretisht më 21 korrik 2025, kur Klaus Jaçaj ishte ende në kërkim, një person i maskuar me maske silikoni, vendosi eksploziv tek automjeti i tij, duke e shkatërruar atë plotësisht. Kjo ngjarje vijon të mbetet ende pa autor.

Atentati me eksploziv ndaj Isuf Jaçajt, bëri që për disa ditë me radhë, qyteti i Sarandës të blindohej nga forcat speciale RENEA dhe FNSH. U kryen disa kontrolle në qytet, por edhe në zonat periferike të Bashkisë Konispol, me qëllim gjetjen e provave që mund të çonin në zbulimin e ngjarjes.

NGJARJA QË NISI HAKMARRJEN

Ngjarja, që për grupin hetimor, dyshohet të jetë bërë shkak për atentatin me eksploziv ku mbeti i vrarë Isuf Jaçaj, por edhe për vrasjen e Artan Myrtajt ka ndodhur rreth orës 15:00, të datës 17 korrik 2025. Në lagjen nr. 4, të Sarandës, 43-vjeçari Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdarajn, 33 vjeç dhe Ernest Lamën, 25 vjeç, nga Kamza. Të dy këta persona rezultojnë me precedentë penalë në Sarandë, pasi më 8 janar 2025 kishin kundërshtuar forcat e policisë në rrugën “Skënderbeu” por kishin fituar sërish lirinë. Pas plagosjes, Hajdarajt iu gjet nga Policia një armë zjarri pistoletë dhe u arrestua në spital. Policia dhe FNSH u vunë në kërkim të dy personave. Autori kryesor dyshohej Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 43 vjeç, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, aktualisht në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë veprimtarisë në Greqi ka shkëmbyer zjarr edhe me Policinë greke disa vite më parë.

Ramadan Canaj, në prill të vitit 2005 ka ekzekutuar në Athinë 51-vjecarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje. Ne 31 janar të vitit 2008, gjatë ndjekjes për t’u arrestuar ai ka shkëmbyer zjarr me Policinë greke dhe u arrit të arrestohej në fund të shkurtit të vitit 2008. Ai rezulton me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi. Në sistemin e policisë greke rezulton i regjistruar me 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra. Pas daljes nga burgu, në maj 2019 u tentua të ndalohej nga policia greke në rrugën “Patisia” në Athinë teksa drejtonte një mjet “Smart”. U largua duke i dhënë gaz mjetit deri sa u përplas. U ndoq dhe u arrestua bashkë më një shqiptar tjetër. Policia i gjeti një pistoletë, një thikë dhe 5 gram kokainë. Mjeti, i cili mbante targa false, rezultoi i vjedhur në 11 tetor 2018 në Notia Proastia.

Në kërkim u shpall edhe Erjon Canaj, 35 vjeç, vellai tij. Canaj në dhjetor të vitit 2022 u akuzua për dhunimin e rojës së spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt të vitit 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës më 29 prill 2025.

Pas plagosjes së datës 17 korrik në Sarandë, Ramadan Zoto u largua nga vendi i krimit, derisa u kap i armatosur në Korçë paraditen e 22 gushtit 2025. Dy prej personave që ndodheshin me të në vendngjarje ishin vetëdorëzuar më herët.

Policia e Sarandës zbardhi dhe dokumentoi plagosjen me armë të dy personave nga Kamza në qytetin bregdetar. Për ngjarjen, përveç vëllezërve Canaj, ishin shpallur në kërkim edhe Artan Myrtaj 43 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç. Dyshohet se ngjarja lidhet në një konflikt për zënien e një sipërfaqe toke, përgjatë vijës bregdetare. Dy të plagosurit nga Kamza pretendonin se dy vëllezërit Canaj u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën, por situata kishte dale jashtë kontrollit kur ishin takuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Sarandës, më datë 17 korrik 2025, në orën 14:58, në pamjet e kamerës së biznesit “Kozi Bistro” në rrugën “Ismail Qemali” në lagjen nr.4 Sarandë, shfaqen dhe vihet re se vijnë 2 persona të identifikuar nga specialistët e policisë në komunitet si shtetasi Ramadan Vladimir Zoto (Canaj) dhe Artan Myrtaj, 43 vjeç, banues në Sarandë, të cilët pasi kalojnë ecin dhe futen në ambientet e brendshme të lokalit, ulen në tavolinë në krahun e djathtë të hyrjes së tij.

Dosja e Prokurorisë

Më datë 17.07.2025, në orën 14:59, në pamjet e kamerës së biznesit “Kozi Bistro” në rrugën “Ismail Qemali” në lagjen nr.4 Sarandë, në pamje vihet re se shtetasi Artan Myrtaj dhe Ramadan Zoto (Canaj), i cili çohet nga tavolina ku po qëndronte i ulur dhe nga brezi nxjerr një send në dukje armë zjarri pistoletë dhe drejtohet për në ambientet e jashtme te lokalit aty ku qëndronin të ulur shtetasit Gezim Hajdaraj dhe Ernest Lama. Njëkohësisht çohen në këmbë edhe shtetasit Erjon Canaj dhe Klaus Jaçaj, të cilët ndodheshin të ulur në tavolinën në zonën e jashtëm të lokalit. Në një moment shtetasi Artan Myrtaj pasi shikon shtetasin  Ernest Lama duke u larguar shkon dhe afrohet drejt tij dhe fillimisht e qëllon  me grusht në pjesën e kokës dhe më pas me shkelma dhe më pas humbasin nga fushëpamja e kamerave. Njëkohësisht, shtetasit Klaus Jaçaj dhe Artan Myrtaj ecin në ambientet e verandës së lokalit me drejtim  nga stadiumi i qytetit të Sarandës derisa humbasin nga fushëpamja e  kamerave, ndërsa shtetasi Erjon Canaj, pasi vesh shapkat, të cilat i kishte te tavolina ku qëndronte i ulur, ecën në të njëjtin drejtim si shtetasit Ramadan Canaj, Klaus Jaçaj dhe Artan Myrtaj.

Në vijim të zbardhjes së ngjarjes ndër të tjera janë marrë dhe deklarimet e shtetases Agathulla G., si dhe shtetasit Angjelo M., të dy punonjës në lokalin ku ndodhi ngjarja. Gruaja që është marrë në pyetje, ka deklaruar se ka qenë në afërsi të lokalit, ku ndodhet picerie dhe nga kuzhina ka parë që para lokalit, në trotuar ka qenë një person i shtrirë në tokë, të cilin ajo nuk e njihte. Ky person i ka kërkuar që të merrte ambulancën dhe çantën e tij. Ajo ka marrë çantën dhe ia ka dhënë kamarierit me emrin Angjelo, i cili e ka lënë në banak, ku dhe u gjet nga Policia. Kjo shtetase ka deklaruar se nuk i njeh personat e plagosur as ata që qëlluan, pasi nuk i ka parë, duke qenë se ndodhej larg.

Ndërsa personi tjetër që është marrë në pyetje, me emrin Angjelo, ka qenë i punësuar si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe ishte turn i dytë në punë.

Kamarieri Angjelo M.

Dua të shpjegoj se në lokal u ulën dy persona, të cilëve nuk u ishte marrë porosia akoma. Unë në atë kohë ndodhesha në banak, pasi po ndihmoja me porositë e tjera ndërsa kamarieri tjetër ndodhej te pjesa e picerisë. Në këtë moment unë dëgjova vetëm një të bërtitur dhe shkrepjen e armës ku më pas unë dhe banakierja, shtetasja Eriselda Rr. u futëm menjëherë në kuzhinë edhe mbyllëm dyert. Kur ndodheshim në kuzhinë dëgjuam disa njerëz, të cilët donin të hapnin derën e tualetit. Pas disa minutash, pasi nuk kishte më zhurmë, ne dolëm nga kuzhina dhe pamë një person, i cili ishte i plagosur dhe po qëndronte i shtrirë në rrugë, në hyrje të lokalit. Unë shkova dhe mora disa shishe ujë dhe prisnim ambulancën të arrinte. Dua të sqaroj se unë nuk e njihja shtetasin i cili ishte i plagosur madje nuk e kisha parë ndonjëherë.

Sipas Prokurorisë, nga provat e marra ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Artan Myrtaj dhe Klaus Jaçaj kanë ndihmuar autorët e dyshuar të kryerjes së veprës penale, për largimin dhe fshehjen e tyre me qëllim shmangien e tyre nga organet e hetimit dhe policisë.

Më datë 19 korrik, dy ditë pas ngjarjes, Artan Myrtaj është paraqitur në Komisariat. Duke qenë se kishte shkaqe të bazuara për të menduar se kishte rrezik ikjeje, ndaj tij është proceduar me urdhër ndalimi po atë ditë. Nga ana e policisë gjyqësore, në orën 23:30 është ekzekutuar urdhri i ndalimit të prokurorit ndaj Artan Myrtajt, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ndërsa Klaus Jaçaj ka vijuar t’i shmanget përballjes me Policinë edhe për disa ditë, derisa më 24 korrik është arrestuar.

Gjatë kohës që i biri qëndronte në arrati, babai i tij, Isuf Jaçaj, i cili humbi jetën në atentatin me eksploziv të 5 tetorit 2025, i ka telefonuar të birin duke i kërkuar të dorëzohej në Polici.

Telefonata: Duhet të dorëzohesh vetë në polici për përkrahjen e autorit të krimit, në të kundërt do të vijë unë të gjej ku je fshehur dhe të dorëzoj në polici me duart e mija, keni plagosur dy të rinj kupton…

Klaus Jaçaj ndihmoi autorin e plagosjes të fshihej në shtëpinë e tij më pas i mundësoi largimin drejtë Korçës, pas këtyre veprimeve katër ditë më pas në 22 Korrik, Klaus Jaçajt i hodhën makinën në erë me eksploziv.

Por gjatë kësaj kohe, Klaus Jaçaj ishte kërcënuar seriozisht me jetë, ku i kërkohej që të dorëzonte autorin e plagosjes, Ramadan Canajn.

Mesazhi: Dorëzo Ramadan Canajn, në të kundërt do të vrasim ty dhe familjarët e tu…

Në fakt, se sa serioz ishte ky kërcënim do të provohej në ditët në vazhdim, edhe pas arrestimit të Ramadan Canajt.

Më 21 korrik 2025, pak ditë pas përplasjes me armë, i vendoset tritol makinës së Klaus Jaçajt. Në atë kohë, Jaçaj ishte person në kërkim në lidhje me plagosjen pranë stadiumit të qytetit. Nga shpërthimi u shkatërrua plotësisht makina e parkuar, por pati dhe dëme të shumta në një banesë dhe në një automjet tjetër. Policia rrethoi zonën dhe ngriti pika kontrolli në hyrje daljet e qytetit, por deri më sot askush nuk është arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. Kamerat e sigurisë kishin fiksuar një person të dyshimtë me maskë silikoni, por nuk u arrit të identifikohej.

Policia e Sarandës

Më datë 21 korrik 2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj, 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17 korrik 2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Pas shpërthimit tragjik në Sarandë, ku humbi jetën 58-vjeçari, hetuesit nisen nga pyetja kryesore: Kush kishte interes të kryente këtë sulm dhe pse?

Në vendngjarje, Policia gjeti mbetje eksplozivi të tipit C-4 ose tritol, çka tregon për një nivel profesionalizmi që e tejkalon një konflikt të zakonshëm personal. Ekspertët e kriminalistikës zbuluan se mekanizmi i shpërthimit ishte i ngjashëm me disa raste të mëparshme në jug dhe në Tiranë.

NJË QYTET QË HETOHET SËRISH

Një ditë pas ekzekutimit të Artan Myrtajt, Saranda nuk ishte më vetëm një qytet ku po kërkoheshin dy vrasës. Tashmë, po kërkohej diçka tjetër. Po kërkohej të kuptohej se çfarë po ndodh me vetë qytetin. Çfarë konfliktesh janë hapur? Cilat prej tyre mund të përfundojnë në një tjetër atentat? Kush janë personat me precedentë penalë që jetojnë apo lëvizin në zonë? Cilat grupe kriminale veprojnë në Sarandë?

Dhe mbi të gjitha, sa prej ngjarjeve të rënda të viteve të fundit janë ende pa autor?

Pyetjet nuk erdhën vetëm nga hetuesit. Ato u vendosën në tryezën e drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit. Vetëm disa orë pas vrasjes, në Sarandë mbërriti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita. Takimi me strukturat e Komisariatit nuk ishte thjesht për atentatin e 20 shtatorit. Hita kërkoi një skanim tërësor të situatës kriminale.

Nga konfliktet më të mëdha, te ato që mund të duken të vogla. Nga personat me precedentë, te kontingjenti kriminal që ndodhet në qytet. Por edhe te personat që vijnë e largohen. Sepse Saranda nuk është vetëm qyteti i banorëve të saj. Është një qytet ku, sidomos gjatë sezonit, lëvizin mijëra njerëz. Dhe pikërisht në këtë terren, sipas drejtuesit të Policisë së Shtetit, duhej të identifikohej çdo aktivitet kriminal.

Hita e bëri të qartë se pas përfundimit të sezonit turistik, fokusi do të zhvendosej te krimet e rënda dhe grupet kriminale. Dhe njoftoi diçka tjetër: Struktura të specializuara, më shumë burime njerëzore, më shumë logjistikë dhe një fokus të veçantë te hetimi i krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.

Por kjo ishte vetëm dita e parë. Të nesërmen, reagimi institucional u bë edhe më i gjerë. Policia e Shtetit njoftoi ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike. Detyra e këtij grupi duket se është rivlerësimi i Sarandës.

Jo vetëm një dosje, jo vetëm një atentat, por situata kriminale e të gjithë zonës. Dhe bashkë me këtë rivlerësim do të kontrollohej edhe performanca e të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit. Nga drejtuesit, te efektivët e rolit bazë. I pari që u transferua nga kjo detyrë ishte shefi i Komisariatit, i cili në fakt kishte vetëm pak muaj që ishte emëruar aty.

Policia deklaroi se në varësi të rezultateve të këtij vlerësimi, do të ndërmerreshin masat përkatëse.

Ndërkohë, në Tiranë zhvillohej një tjetër takim. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, mblodhi drejtuesit e policive të qarqeve dhe në qendër të diskutimit ishte pikërisht Saranda. Demo kërkoi ngritjen e një Task Force të posaçme për qytetin dhe hetimin e ngjarjeve kriminale të fundit.

Por pse u desh një tjetër vrasje për ta rivlerësuar Sarandën? Ajo që ndodhi më 20 shtator nuk ishte një ngjarje e izoluar.

Në historinë e fundit kriminale të Sarandës ka një seri episodesh që tashmë po shqyrtohen nga hetuesit si pjesë e një panorame më të gjerë. Nëse këto ngjarje kanë një lidhje mes tyre, atëherë hetimi i Sarandës nuk mund të kufizohet vetëm te personi që tërhoqi këmbëzën. Duhet të shkojë më tej.

Te konfliktet, te lidhjet, te motivet, te njerëzit që mund të kenë pasur interes që ky zinxhir të vazhdonte. Dhe pikërisht për këtë arsye, pas atentatit të 20 shtatorit, Policia vendosi të rihapë në njëfarë mënyre të gjithë hartën kriminale të qytetit.

Jo vetëm të gjejë autorët e një vrasjeje, por të kuptojë çfarë fshihet pas saj.

Task-Forca tani është ngritur. Dosjet e vjetra po rikthehen në vëmendje. Zinxhiri drejtues po rivlerësohet. Dhe hetuesit duhet të rindërtojnë konfliktet që kanë prodhuar dhunë në Sarandë. Por a do të mjaftojë kjo?

Sepse një qytet nuk bëhet i sigurt vetëm duke kapur autorin e vrasjes së fundit. Duhet të zbulosh edhe historinë që e solli atë vrasje. Dhe në Sarandë, ajo histori duket se ka nisur shumë më herët se korriku i vitit 2025.

SARANDA, KRIM DHE TURIZËM

Ka qytete ku krimi lind nga varfëria. Por ka dhe qytete ku krimi ushqehet nga paratë. Dhe atëherë bëhet edhe më i rrezikshëm, më i ashpër.

Saranda duket si një parajsë turistike.

Deti, resortet, hotelet luksoze, lokalet që mbushen çdo verë me mijëra turistë dhe miliona euro që qarkullojnë në pak muaj.

Një vend perfekt edhe për të pastruar milionat e krimit të organizuar.

Por pikërisht aty ku qarkullojnë shumë para, të ligjshme e të paligjshme, lind edhe lufta për kontroll.

Prej vitesh, në jug të Shqipërisë janë shtuar konfliktet për prona bregdetare, shfrytëzimin e bizneseve turistike, investimet informale dhe zonat e influencës.

Një pjesë e këtyre përplasjeve nuk mbyllen aty për aty, por kalojnë në kërcënime, dhunë, madje dhe atentate mafioze me armë e eksploziv.

Afërsia me kufirin grek e ka kthyer Sarandën edhe në një nyje të rëndësishme lëvizjeje për trafik droge, kontrabandë dhe grupe kriminale që operojnë mes dy vendeve.

Shumë emra të njohur për Policinë shqiptare kanë pasur lidhje me rrjete kriminale në Greqi. Të tjerë janë përfshirë në trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave apo konfliktet për kontroll territori.

Në një qytet që dikur identifikohej me qetësinë dhe turizmin familjar, sot gjithnjë e më shpesh dëgjohen histori për atentate, të shtëna me armë, shpërthime tritoli dhe konflikte të armatosura.

Olsian Çela, prokuror i Përgjithshëm

Koeficienti i kriminalitetet për procedimet penale të regjistruara, për 100 mijë banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë e ka qarku i Beratit, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku i Sarandës.

Ka disa vite që qyteti më jugor i vendit, i njohur për qetësinë dhe gjiret e kristalta buzë Jonit, po nxjerr në sipërfaqe një anë të errët.

E mesa duket, kur një qytet bëhet “i pasur” shumë shpejt, zakonisht nuk tërheq vetëm turistë.

Më shumë se një vit nga dita kur një konflikt në Sarandë shpërtheu në armë, historia është shkruar me arrestime, arrati, kërcënime, eksplozivë dhe vdekje. Një makinë u hodh në erë. Më pas një baba u vra. Dhe tani, një tjetër person i përfshirë në atë histori është ekzekutuar. Artan Myrtaj.

Këtë herë, në mes të qytetit. Pranë Komisariatit të Policisë. Me dhjetëra plumba që i morën jetën dhe plagosën edhe një kalimtar.

Hetimi duhet të tregojë nëse kjo vrasje është vërtet vazhdimi i të njëjtit konflikt. Nëse është hakmarrje. Nëse është një eliminim i porositur. Apo nëse pas saj fshihet një histori tjetër që ende nuk është zbuluar.

Por një gjë tashmë është e qartë. Ngjarjet e korrikut 2025 nuk përfunduan me arrestimet. As atentati ndaj Klaus Jaçajt nuk ishte fundi. As vrasja e Isuf Jaçajt nuk e mbylli këtë histori.

Dhe nëse pista e hakmarrjes konfirmohet, atëherë ajo që kemi parë në Sarandë gjatë muajve të fundit nuk janë thjesht ngjarje të ndara. Është një zinxhir.

Një konflikt që ka ndryshuar viktimat, autorët e dyshuar dhe skenat e krimit, por që vazhdon duke lënë pas gjak.

Sot, sfida më e madhe për Policinë nuk është vetëm që të gjejë dhe të përballë me drejtësinë ata që vranë Artan Myrtajn.

Por të arrijë të parandalojë ngjarjen e radhës.

A do të arrijë drejtësia ta këpusë këtë zinxhir, përpara se Saranda të përballet me një tjetër atentat?

Sepse një qytet nuk mund të mësohet me krimin. Dhe një histori hakmarrjesh nuk përfundon kur heshtin armët.

Përfundon vetëm kur autorët dhe urdhëruesit përballen me drejtësinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!