Spanja është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura dhe përmbytje të shpejta që kanë goditur disa rajone të vendit. Barcelona është vendosur në alarm të kuq për shkak të reshjeve intensive.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur rrugë, tunele dhe pjesë të rrjetit të transportit në Barcelonë. Ujërat kanë vërshuar edhe në disa stacione metroje, ndërsa qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm.
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në transportin ajror. Mbi 100 fluturime janë anuluar në aeroportin Barcelona-El Prat, duke krijuar kaos dhe vonesa për udhëtarët.
Paralajmërime emergjente janë lëshuar në nëntë rajone të Spanjës. Në Katalonjë, reshjet mund të arrijnë deri në 180 litra për metër katror brenda tre orëve.
Rajonet verilindore dhe veriperëndimore janë ndër më të prekurat nga moti i keq, ndërsa alarmi i kuq është vendosur edhe në Extremadura.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të tregojnë kujdes për shkak të rrezikut nga përmbytjet e shpejta dhe vështirësitë në qarkullim.


