Ndodhi më shumë se 50 vjet më parë një mrekulli e ngjashme. Atëherë, në finalen e Kupës së Botës në 1974, Johan Krujf fitoi penallti për Holandën përballë Gjermanisë Perëndimore që në minutën e parë, në aksionin e parë, dhe Neskens shënoi, ndërsa kundërshtarët nuk e kishin prekur topin.
Kryevepra, në një formë pak më të ndryshme, u përsërit kur Lamin Jamal shënoi gol për Spanjën në sekondën e 70-të të sfidës së Ligës së Kombeve kundër Kroacisë.
Siç e pasqyrojnë mediat iberike, kampionët e botës bënë 25 pasime, derisa ylli i madh i Barcelonës e dërgoi topin në rrjetë për 1-0, dhe kroatët ende nuk e kishin prekur sferën.
Lamin ishte shkëlqimi I një skuadre të mrekullueshme, që fitoi 4-1 dhe kryeson bindshëm grupin ku bën pjesë edhe Anglia.
Kandidati për Topin e Artë shënoi dy herë dhe shërbeu një asist, e duket se problemet fizike që e penguin jo pak në Botëror, janë lënë pas.
Besohet se, 19-vjeçari është tani favorit për Topin e Artë të “Frans Futbollit”, ndërsa golat e tjerë u shënuan nga Pubij dhe Niko Uilliams, ndërsa për Kroacinë shkurtoi përkohësisht në 2-1 sulmuesi Beljo I Dinamos së Zagrebit.
“Zotërit e topit, – titullon “Marka”, me foton e Lamin Jamalit të ulur mbi sferë, – Spanja e nis ndeshjen me një vepër arti! Lamin ndriçon rrugën për fitoren!”
“Ai është I yni, – shkruan “AS” po nga Madridi, – Lamin me dy gola dhe një asist, hedh tuç Kroacinë dhe entuziazmon Seviljen! Spanja, lider I vetmuar I grupit!”
“Ishe më I miri, – komenton “Sport” nga Katalonja për Lamin Jamalin, – shënoi dy gola, dha një asist në ndeshjen e parë në Spanjë si kampionë të botës!”
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e “Furive të Kuqe” në grupin e Ligës së Kombeve, pas asaj 3-2 në “Uembli” ndaj Anglisë, ndërsa në 3 tetor pritet Çekia në Oviedo.


