Një ekip televiziv në Poloni ka filmuar momentin kur një makinë përplasi një vajzë 14-vjeçare që po lëvizte me skuter elektrik në qytetin Kościerzyna.
Pamjet u regjistruan nga gazetari i TVP Info, Miłosz Sieliwończyk, i cili ndodhej në zonë duke raportuar për një tjetër aksident tragjik, ku më herët gjatë ditës kishte humbur jetën një djalë trevjeçar.
Në momentin e përplasjes, automjeti u kthye në një rrugë dytësore dhe goditi adoleshenten, e cila u përplas fillimisht në xhamin e përparmë dhe më pas ra në asfalt.
Ekipi televiziv reagoi menjëherë, duke telefonuar shërbimet emergjente dhe duke i dhënë ndihmë vajzës. Shoferi u largua fillimisht nga vendi i ngjarjes, por u kthye disa minuta më vonë.
Policia tha se shoferi nuk kishte konsumuar alkool, por nuk posedonte leje drejtimi. 14-vjeçarja pësoi vetëm gërvishtje të lehta dhe nuk pati nevojë për shtrim në spital.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.


