Pep Guardiola vazhdon të mbajë të tijtë me këmbë në tokë. Strategu i Manchester City foli në konferencë për shtyp pas fitores 1-3 kundër Manchester United, duke thënë se kjo ishte një fitore e rëndësishme, por asgjë nuk ka mbaruar.
“Bëmë njw ndeshje thuajse perfekte, përballë një kundërshtari që luan me ego dhe krenari”, u shpreh fillimisht strategu spanjoll. “Megjithatë, nuk ishte ndeshje që na dha tri pikët dhe gjithçka përfundoi. Kemi dhe 90 minuta përpara dhe gjithçka mund të ndodhë në futboll.
Manchester United ka treguar prej vitesh që është një ekip që nuk dorëzohet dhe beson deri në sekondat e fundit. Në pjesën e dytë, mund të kishim shënuar sërish, por ritmi ynë, ra ndjeshëm.
Bëmë dhe gabime në mesfushë dhe nga një i tillë, u ndëshkuam. Kjo është diçka që do e analizojmë dhe do të mundohemi ta korrigjojmë për sfidën e kthimit pas tre javësh. Kam folur me lojtarët, u kam thënë se asgjë nuk ka mbaruar dhe ata e kanë kuptuar më së miri këtë gjë”, përfundoi Guardiola.