Havana ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ai tha se qeveria komuniste e Kubës do të “rrëzohet”.
“Regjimi komunist është nën presionin më të fortë që ka njohur ndonjëherë. Do të bjerë”, deklaroi Trump nga foltorja e OKB-së, duke shtuar se Uashingtoni po zhvillon negociata me Havanën dhe se po siguron që “liria do të vijë” në Kubë.
Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodríguez, i cili drejton delegacionin e vendit në Nju Jork, i cilësoi deklaratat e presidentit amerikan si “shpifje” dhe “gënjeshtra”.
“Qeveria amerikane nuk është në gjendje të pranojë që Kuba është dhe ka të drejtë të jetë një vend plotësisht i pavarur dhe sovran”, shkroi Rodríguez në X.
Ai shtoi se “asnjë nga deklaratat e rreme” të bëra nga Trump në OKB dhe “asnjë shpifje” nuk mund ta mohojë këtë fakt.
Edhe Presidenti kubanez, Miguel Díaz-Canel, reagoi ndaj deklaratave të Trump, duke e akuzuar Shtëpinë e Bardhë për përhapjen e “gënjeshtrave”.
Sipas Díaz-Canel, presidenti amerikan nuk është në gjendje të justifikojë masat që, sipas tij, po i imponohen popullit kuban dhe politikën ekonomike të SHBA-së ndaj ishullit.
Përplasja mes dy vendeve u vu re edhe gjatë fjalimit të Trump në OKB, kur delegacioni kubanez u largua nga salla ndërsa presidenti amerikan po fliste.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës janë përkeqësuar më tej që prej rikthimit të Trump në pushtet në vitin 2025.
Presidenti amerikan e ka cilësuar Kubën, e cila ndodhet rreth 150 kilometra larg brigjeve të Floridës, si një “kërcënim të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe ka kërcënuar vazhdimisht se do të “marrë” kontrollin e ishullit.
Administrata amerikane ka vendosur gjithashtu masa të ashpra ndaj sektorit energjetik kubanez, duke kontribuar në përkeqësimin e krizës ekonomike dhe energjetike në ishull.

