Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

SPAK caktoi masë sigurie/ Rama shkarkon Vlora Hysenin: Drejtësia të bëjë punën e saj!

schedule15:29 - 22 Shtator, 2026

schedule 15:29 - 22 Shtator, 2026

Prej New York, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra kreu e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës këtë të martë, SPAK vendosi masën e “arrestit në shtëpi” dhe pezullim nga detyra.

Me kthimin e tij të nga SHBA, Rama do të vendosë firmën mbi shkarkimin, që tashmë është kryer, dhe do të zgjedhë emrin pauses të Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, në konsulim me Kreun e Shtetit.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkruan Rama.

Përgjigjen për akuzat, fajësinë apo pafajësinë, do e japë drejtësia, thotë kryeministri në reagimin e tij, që siç shprehet, erdhi me vonesë vetëm për arsyen e orareve të ndryshme Tiranë-New York.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi”, vijon ai.

Rregulli thekson Rama në vijim nuk ndryshon edhe për rastin e Hysenit, që për qeverinë që ai drejton, cdo kush është i barabartë para drejtësisë.

“Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, thekson Rama.

Kreu i qeverisë shprehet po ashtu se veprimi i drejtësisë duhet të shikohet në kuadrin e qëllimit për integrimin e vendit në BE.

“As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo” shton Rama.

Kryeministri, sipas axhendës, kthehet në fundjavë në Tiranë nga SHBA. Aty do të mësohet emri i ri, që ligji ia njeh atit për ta vendosur në krye të shish, ndërsa Presidenti do të vendosë firmën mbi dekret.

Postimi i Plotë:

“Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.

Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.

Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.

Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.

E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!