TIRANË- Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, tha se shpreson shumë që nisma “Price Watch Albania” të funksionojë siç duhet dhe të ketë efektin në uljen reale të çmimeve.
Megjithatë, ajo shtoi se ka nevojë për kontrolle më të forta ndaj abuzimeve me çmimet.
Nunaj tha se abuzimet mund të shfaqen në disa nivele, duke nisur nga produktet e importit e deri te hallkat e zinxhirit të furnizimit.
“Shpresoj që të japë rezultatin e pritshëm. Ne kemi të bëjmë me abuzim çmimesh të paktën në dy nivele. Së pari, produktet e importit, që nuk e kanë të reflektuar kursin e këmbimit. Dhe pastaj hallkat nga prodhuesi te konsumatori”, u shpreh ajo.
Sipas ekspertes, publikimi i çmimeve mund të ndikojë te bizneset për të frenuar praktikat abuzive.
“Shpresojmë që kjo pasqyrë të jetë ndikuese te biznesi për të frenuar pjesën e abuzimit. Institucionet duhet të ushtrojnë kontrollet me qëllim frenimin e abuzimeve”, tha Nunaj./abcnews.al

