Gjirokastra vijon të tërheqë turistë nga vende të ndryshme të botës, edhe jashtë muajve të pikut të sezonit veror. Qyteti i gurtë po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, falë trashëgimisë historike, arkitekturës, kulinarisë dhe monumenteve të shumta.
Zona historike mbetet pika kryesore e vizitës për turistët, të cilët shprehen të impresionuar nga qyteti, por edhe nga mikpritja që gjejnë në Gjirokastër.
Qyteti bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e guidave turistike ndërkombëtare, duke u kthyer në një nga ndalesat e rëndësishme për vizitorët që zgjedhin të eksplorojnë jugun e Shqipërisë.
Rritjen e vizitorëve e dëshmojnë edhe shifrat. Kështjella e Gjirokastrës, simboli i qytetit dhe një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare, vijon të jetë ndër atraksionet më të vizituara në vend.
Vetëm gjatë periudhës janar–gusht, Kështjella Argjiro ka regjistruar mbi 223 mijë vizitorë, duke u renditur sërish në krye të listës së monumenteve më të vizituara në Shqipëri.

