Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Liri për çlirimtarët”/ Prishtinë, vazhdojnë protestat në mbështetje të UÇK

schedule15:10 - 21 Shtator, 2026

schedule 15:10 - 21 Shtator, 2026

“Çlirimtarët nuk janë vetëm, e gjithë Kosova është me ta”.

Me këtë mesazh dhe nën thirrjet në mbështetje të UÇK-së, qindra studentë u mblodhën edhe këtë të hënë në sheshin kryesor të Prishtinës, për të kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Marshimi nisi nga Qendra e Studentëve dhe vijoi drejt sheshit “Skënderbeu”. Studentëve iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, mes tyre edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.

Studentët kërkuan ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje për mbrojtjen ligjore të të dënuarve, si dhe përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e apelimit, ndërsa tregojnë mirënjohje për luftën çlirimtare.

“E kuptojmë se jemi fatlumë që bëjmë pjesë ndër brezat e parë të këtij kombi që e shijoi lirinë, pa e përjetuar tmerrin e luftës. Por po ashtu, e kuptojmë qartë se kjo liri nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha Donart Humolli, student.

Në fund të tubimit, si simbol i paqes, studentët lëshuan pëllumba të bardhë.

Më 16 shtator, Gjykata në Hagë dënoi çlirimtarët me plot 81 vjet burgim. Protestat në mbështetje të tyre vijojnë çdo mbrëmje në sheshin kryesor në Prishtinë dhe në diasporë.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!