Dielli del nga Lindja. E tillë pak a shumë proverba kineze, dhe e të gjithë popujve të atyre anëve, dhe drejt Lindjes po shkojnë njëri pas tjetrit yjet e kombëtares shqiptare.
I radhës, Arbër Hoxha.
Futbollisti ofensiv nga Kosova largohet nga Dinamo e Zagrebit dhe shkon në Gjirin Persik tek Al Uahda e Emirateve të Bashkuara Arabe. Për të paguhen 2.5 milionë euro, dhe një rrogë më e lartë sesa ajo që merrte te kampionia e Kroacisë, por mediat në Zagreb nuk janë shumë të lumtura.
E përditshmja kryesore e mëngjesit, “Jutarnji List”, kritikon klubin që pranoi pak para për kartonin e shqiptarit, dhe duket se ka harruar sesi realizohen transferimet e mëdha.
Për Hoxhën u paguan më pak sesa vlen kartoni i tij në “transfermarkt”.
Gjithsesi, “Jutarnji” ka një kritikë edhe për yllin kuqezi, i cili sipas gazetës është në gjendje të shënojë gola si Lionel Mesi, duke sjellë shembull rrjetat ndaj Hajdukut në Poljud, kundër Rijekës në stadiumin “Kantrida”, apo ndaj ish-skuadrës së tij Slaven Belupo në “Maksimir”.
E përditshmja e kryeqytetit thekson se Hoxha nuk u bë kurrë lider, dhe nuk e tregoi gjithë potencialin e tij duke e dëmtuar karrierën me driblime të shumta edhe kur nuk duheshin bërë.
Statistikat flasin qartë që ai arriti në 14 gola e 15 asistë në 117 ndeshje për të kaltrit, tepër pak për pritshmërinë dhe potencialin e tij. Sezoni i kaluar ishte i mirë, me 7 gola e 7 asistë në 31 sfida të Ligës së Parë të Kroacisë, duke qenë ndër lojtarët kryesorë edhe të Dinamos, edhe të kampionatit. Këtë edicion ai ka vetëm 2 rrjeta dhe një asist në 12 ndeshje, dhe ka harruar të jetë protagonist./abcnews.al

