Dhimbja e gjunjëve, mesit, qafës apo shpatullave është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz, por kjo nuk do të thotë se duhet normalizuar. Fizioterapisti Eri Suci sjell këshilla për disa nga shqetësimet më të zakonshme të sistemit muskuloskeletal dhe mënyrën se si duhet t’i kushtojmë vëmendje sinjaleve të trupit.
Dhimbja poshtë gjurit, për shembull, mund të lidhet me tendinin patelar, veçanërisht kur ka mbingarkesë nga aktiviteti fizik, kërcime të përsëritura apo dobësim të muskujve të kofshës. Edhe dhimbja që përhapet në këmbë nuk duhet t’i atribuohet automatikisht shpinës. Në disa raste mund të përfshihet zona e vitheve dhe nervi shiatik.
Ndërkohë, kontrakturat e pulpës mund të shfaqen pas lodhjes muskulare, mbingarkesës, qëndrimit të gjatë në një pozicion apo faktorëve të tjerë. Qafa dhe shpatullat janë një tjetër zonë problematike, veçanërisht te personat që kalojnë shumë kohë ulur apo përpara pajisjeve elektronike.
Tensioni i muskujve të qafës dhe trapeziusit mund të shoqërohet me dhimbje, ngurtësi dhe kufizim të lëvizjeve. Sipas Sucit, fizioterapia nuk është thjesht masazh apo një prekje që lehtëson përkohësisht dhimbjen.
Ajo duhet të jetë një proces i kontrolluar dhe i përshtatur sipas shkakut, simptomave dhe gjendjes së çdo personi. Edhe pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, rikuperimi kërkon kohë, forcim gradual, rikthim të lëvizshmërisë dhe kontrollit të trupit.
Vëmendje kërkojnë edhe fëmijët, te të cilët mënyra e ecjes, qëndrimi dhe koha e gjatë para telefonit apo kompjuterit mund të ndikojnë në zakonet e lëvizjes. Mesazhi kryesor është i thjeshtë: mos u mësoni me dhimbjen dhe mos prisni gjithmonë që ajo të largohet vetë. Kur dhimbja kufizon lëvizjen, përsëritet ose shoqërohet me mpirje dhe simptoma të tjera, nevojitet vlerësim profesional për të përcaktuar shkakun dhe trajtimin e përshtatshëm./abcnews.al

