Më pak se një orë para nisjes së protestës në sheshin “Skënderbeu”, qytetarët kanë filluar të mblidhen në Prishtinë në kundërshtim me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Sipas gazetarit të Klan Kosova, Kastriot Tahiri, protestuesit po zënë vendet para objektit të Qeverisë dhe pranë imazheve të katër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa kërkesa kryesore e tubimit është drejtësia dhe ndryshimi i vendimit të shkallës së parë në Hagë.
Tashmë na ndajnë edhe më pak se një orë deri në kohën kur është caktuar për të protestuar këtu në sheshin Skënderbeu për verdiktin që u dha të mërkurën për katërshen e UÇK-së e që ishte dënues me 81 vjet burgim për katërshen. Sigurisht sikur sot paradite, njëjtë edhe tash po kërkohet drejtësi për katërshen e UÇK-së dhe për zhbërë vendimin të cilën e kanë marrë në Hagë në Dhomat e Specializuara në shkallën e parë. Ajo çka vlen të ceket është tashmë qytetarët kanë filluar të mbushin sheshin dhe t’i zënë vendet para objektit të Qeverisë dhe para imazheve të katërshes së UÇK-së”, ka thënë Tahiri.

