TIRANË- Analisti Klementin Mile e ka cilësuar si një “akt tronditës” vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin me një total prej 81 vitesh burg të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuar në emisionin “News Line”, Mile tha se vendimi përbën një lajm të keq për faktorin shqiptar.
Sipas analistit, në këtë proces kanë ndikuar faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa ai e cilësoi të rëndë masën e dënimeve të dhëna ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Megjithatë, ai theksoi se beteja ligjore për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të konsiderohet e përfunduar, por shtoi se aktualisht ka nevojë për një lobim të fortë, me qëllim ndryshimin e gjërave në Apel.
Mile kërkoi bashkëpunim më të madh mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe një angazhim të përbashkët në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai u ndal edhe te nevoja për një angazhim politik dhe diplomatik për ndryshimin e vendimit, duke kërkuar një koordinim më të madh mes aktorëve politikë në Kosovë në Kosovë, por dhe një bashkëpunim mes Shqipërinë.
“Duan të bëjnë politikë përmes një tribunali drejtësie. Nuk kishte gjë të papritur deri këtu, por vitet e dënimeve më kanë tronditur, sepse është lajm i keq për të gjithë kombin shqiptar. Për të ardhur në këtë ditë kanë punuar faktorë brenda dhe jashtë Kosovës.
Janë dënuar shumë ashpër, madje më shumë sesa serbët. Deri në këtë fazë ne kemi dështuar. Kjo nuk do të thotë se ka përfunduar beteja. Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë pro UÇK-së.
Fati juridik i katër komandantëve sigurisht që na dhemb, por përtej kësaj duhet një lobim i fuqishëm për ndryshimin e vendimit për ish-krerët e UÇK. Unë pres që të ketë rakordim me faktorin politik në Kosovë. Së pari, brenda Kosovës. Duhet unifikim të faktorit politik brenda Kosovës, pastaj bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës”, theksoi ai.

