Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur sot protestë në Prishtinë, pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Protesta do të nisë në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa nga organizata e veteranëve kanë bërë të ditur se ajo do të jetë paqësore.
“Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona. Kemi çka me tregu boll, fytyrat i kemi të ndershme” deklaroi nënkryetari i veteranëvë Gazmend Syla.
Ata kundërshtojnë vendimin e shpallur ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe se me këtë aktgjykim të togave të zeza është tentuar të bëhet një baraspeshë ndërmjet luftës së UÇK-së dhe masakrës së serbëve mbi shqiptarët e Kosovës.
Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar gjithashtu krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme përmes së cilës synojnë të kundërshtojnë aktgjykimin deri në përfundimin e procesit të apelit.
Në këtë nismë synohet përfshirja e institucioneve të Kosovës, partive parlamentare, shoqërisë civile, Shqipërisë, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, si dhe mërgatës.

