Drejtoria kundër terrorizmit në policinë e Kosovës ka arrestuar të martën një grua, e cila kishte bërë thirrje për hakmarrje pas vrasjes së gjeneralit Iranian Sulejmani. Gruaja, një shqiptare e Kosovës, është ndaluar për 48 orë në pritje të një vendimi të mëtejshëm të gjykatës.
Policia e Kosovës arrestoi të martën Ikballe Berisha – Hudutin, e cila reagoi pas vrasjes së gjeneralit Iranian Qasem Soleimani dhe kritikoi udhëheqësit e shtetit që përkrahën sulmin e SHBA-së.
Televizioni T7 në Kosovë publikoi një njoftim të policisë së Kosovës në të cilin thuhet se më 07 janar, Drejtoria Kundër Terrorizmit ne Policinë e Kosovës, në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës, e cila është dërguar për intervistim në Polici dhe me urdhër te prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente.
Huduti ishte themeluese e një fondacioni fetar islamik dhe ishte deklaruar kundër Amerikës dhe Izraelit duke thënë se gjenerali i vrarë Iranian nuk do të vdesë kurrë.
“Njerezit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajne gjak kriminile ata jane te vdekur por vetem frymojne per tu turperuar vet dhe kombin e vet kriminel”, kishte shkruar ajo duke shtuar gjithashtu se hakmarrja ndaj kësaj vrasjeje është obligim.
“Zoti i dhasht durimin ngase te mbysesh zotin e shtepise i ke mbyt tere antaret e shtepise, e pastaj hakmarrja eshte obligim por nuk ka kufi”, kishte deklaruar ajo./abcnews.al