Të paktën 60 persona kanë humbur jetën pasi një minierë ari u shemb në një zonë të largët në veri të qytetit al-Nuhud, në shtetin Perëndimor Kordofan të Sudanit.
Dy të mbijetuar i thanë agjencisë AFP se shumë persona të tjerë dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar gjatë gjithë natës.
“Ne nuk e dimë se sa të tjerë janë ende brenda”, tha Khair al-Sayed Jabara, i cili së bashku me punëtorë të tjerë të minierës mori pjesë në përpjekjet për nxjerrjen e të bllokuarve pas shembjes së minierës Al-Zara.
Sipas një tjetër punëtori, Al-Amin Suleiman, deri tani nga rrënojat janë nxjerrë 60 trupa, ndërsa disa persona vijojnë të jenë të bllokuar që prej ditës së mëparshme.
“Deri më tani, 60 trupa janë nxjerrë nga rrënojat, por ka ende njerëz të bllokuar atje që nga dje. Nuk mendoj se janë gjallë”, tha ai.
Suleiman shpjegoi se puset e minierave ndodhen shumë pranë njëri-tjetrit, duke bërë që shembja e njërit prej tyre të shkaktojë shembjen edhe të puseve përreth.
Aksidentet në minierat e vogla dhe të paligjshme të arit janë të zakonshme në Sudan, kryesisht për shkak të kushteve të pasigurta të punës dhe mungesës së masave të sigurisë.
Industria e arit ka marrë një rëndësi të madhe gjatë luftës që prej prillit 2023 mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), me të dyja palët që financohen kryesisht përmes industrisë minerare, krahas mbështetjes nga vende të huaja.
Konflikti ka goditur rëndë ekonominë e Sudanit dhe ka përkeqësuar krizën humanitare në vend. Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, rreth 20 milionë njerëz përballen me pasiguri akute ushqimore.
Humbja e vendeve të punës dhe përkeqësimi i kushteve ekonomike kanë shtyrë shumë njerëz drejt një “nxitimi të arit”, duke rritur numrin e personave që punojnë në miniera të vogla dhe shpesh të pasigurta.

