Vendimi i gjykatave për ndërhyrje në çështjen e pagave përbën një puç institucional, sipas ekspertit të ekonomisë Fatos Çoçoli.
Në një intervistë për “Money Report”, ai theksoi se e vetmja e autorizuar për të vendosur për rritjen e pagave është Ministria e Financave dhe asnjë autoritet tjetër nuk mund ta urdhërojë atë.
Çoçoli nënvizoi gjithashtu se pagat e magjistratëve në Shqipëri janë rritur gati trefish vitet e fundit, duke tejkaluar edhe ato të disa vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
“Nuk kemi drejtësi private ende. Duke qenë se është një institucion shtetëror, e vetmja e autorizuar për pagat është Ministria e Financave. Nuk ka fare autoritet, që të urdhërojë Ministrinë e Financave, qeverinë që të realizojë diçka që ata mendojnë se është kushtetuese.
Ministria e Financave vendos për rritjen e pagave. Ky është një puç institucional. Sepse çdo institucion shtetëror ka një obligim, që të ushtrojë funksionin e tij, të bëjë gjyqet. Janë kërkesa të moralshme. Nuk mund të ketë paga që të tejkalojë pagat e magjistratëve në Europë. Magjistratët marrin paga më të larta se në Rumani, e në disa vende të Ballkanit Perëndimore. Pagat e gjyqtarëve janë rritur gati trefish në vitet e fundit”, tha eksperti i ekonomisë.

