Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6,1 miliardë euro ndihmë shtesë për të ndihmuar vendin e rraskapitur nga lufta të blejë pajisje ushtarake, veçanërisht raketat “Patriot”, të cilat janë tejet të nevojshme për të rrëzuar raketat balistike shkatërruese të Rusisë.
Financimi, i njoftuar të premten, do të vijë nga paketa e huasë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh e bllokut, e cila rezervon 28,3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16,7 miliardë euro për mbështetje buxhetore për këtë vit, shkruajnë mediat e huaja.
Kërkesa e huasë për prodhimin brenda Evropës (“Made In Europe”) do të hiqet për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot” – të cilat prodhohen në Shtetet e Bashkuara – dhe të dronëve, të cilët varen nga komponentë kinezë.
Shuma prej 6,1 miliardë eurosh e sapoalokuar përbën këstin e fundit të paketës prej 28,3 miliardë eurosh.
Pagesat po kryhen në këste të njëpasnjëshme, pasi Brukseli të ketë shqyrtuar dhe verifikuar kontratat që Kievi nënshkruan me kompani private.
Deri më tani, janë transferuar 8,35 miliardë euro fonde për mbrojtjen.
“Epërsia ushtarake e Ukrainës varet nga disponueshmëria e shpejtë e produkteve kritike, në sasitë e kërkuara dhe brenda afateve kohore shumë të shkurtra”, deklaroi në një konferencë për shtyp Andrius Kubilius, Komisioneri Evropian për Mbrojtjen.
“Përshpejtimi i dërgesave të BE-së përmes shfrytëzimit të rezervave ekzistuese, rivlerësimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese mbetet thelbësor”, ka shtuar ai.
Ky lajm vjen ndërsa aleatët nxitojnë të furnizojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore, në një kohë kur Rusia po intensifikon fushatën e bombardimeve – përfshirë përdorimin e dronëve me motor reaktiv – përpara një dimri që zyrtarët e BE-së parashikojnë se do të jetë më i ashpri i luftës deri më tani.

