Mirdita është tronditur sot nga vrasja e Kastriot Recit, i cili u ekzekutua me snajper në qendër të qytetit nga persona ende të panjohur.
Policia ka sekuestruar një snajper në taracën e një pallati, që dyshohet se është arma e përdorur në krim. Burimet për abcnews.al thanë se ai mbërriti në spital, me plagën e plumbit që e kishte kapur në zemër, ku edhe ndërroi jetë.
Në Rrëshen shkoi ministri Sandër Lleshaj dhe drejtori i policisë. Deri më tani nuk ka informacion mbi atentatorët, ndërsa hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e tij.
Grupi hetimor i drejtuar nga prokurori i Lezhës që ka në juridiksion dhe Mirditën, ka marrë në pyetje bashkëshorten e 47-vjeçarit Reçi. Ajo është pyetur nëse bashkëshorti i saj ka patur ndonjë kërcënim apo konflikt të hapur.
Po kështu janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes apo lëvizjet e biznesmenit, aksioner i televizionit lokal Media+.
Burime nga grupi hetimor thanë se Reçi kishte dalë nga lokali për të takuar një grua me të cilën kishte lënë takim për çështje pune. Nuk dihet kush ishte personi në fjalë por policia po heton të gjitha lëvizjet e tij për të arritur tek identifikimi i autorit të vrasjes./abcnews.al