Gjyqtarët zhvllojnë këtë të enjte një mbledhje të jashtëzakonshme në KLGJ për ngërçin e krijuar me pagat e muajit gusht të magjistratëve.
Për të disatën ditë Dhoma Penale dhe Civile e Tiranës kanë bojkotuar punën si pasojë e situatës së krijuar për pagën e muajit gusht. E njëjta panoramë u paraqit edhe në Gjykatën e Fierit dhe atë të Lushnjes, ku qytetarët pritën me orë të tëra të merrnin shërbimet.
Punën e bojkotuan sekretarët dhe kancelarët, ndërsa gjyqtarët nuk iu bashkuan bojkotit.
Asnjë gjyq nuk do të zhvillohet në këto dy gjykata, përveç seancave me karakter urgjent, që janë masat e sigurisë dhe urdhrat e mbrojtjes. Gjykata e Fierit pezulloi punën pa dhënë asnjë informacion zyrtar për publikun dhe palët e përfshira në procese gjyqësore. Kjo ka shkaktuar konfuzion te qytetarët që presin zhvillimin e seancave. Në këtë gjykatë zhvillohen mesatarisht 80-90 procese në ditë. Edhe Gjykata e Vlorës ndoqi modelin e Fierit dhe Lushnjës. Shërbimi për qytetarët do të jetë funksional vetëm 15 minuta në ditë. Sipas informacioneve të ABC News, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë nuk ka ende një afat se kur do të vijojë normalisht seancat gjyqësore.
Një vendim i tillë ka ardhur pas situatës së krijuar ditët e fundit me çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë. Të martën, në Gjykatën e Lartë u mblodhën kryetarët e gjykatave të Republikës, të cilët vendosën të mos bojkotojnë punën dhe të vijojnë punën normalisht, deri në zgjidhjen e çështjes nga Kuvendi./abcnews.al

