Nga një garazh i thjeshtë ku stërvitej për qejf, drejt skenës më të madhe të MMA-së. Kjo është historia e Melisa Bocit, sportistes shqiptare që po shkruan një faqe të re në historinë e këtij sporti.
E lindur dhe e rritur në Prato të Italisë, vajza e dy emigrantëve shqiptarë nga Elbasani, Melisa do të jetë sportistja e parë femër shqiptare në Kampionatin Botëror IMMAF. Ajo e nisi MMA-n në vitin 2022, fillimisht thjesht si një pasion. Stërvitej në një garazh, me disa pads dhe ushtrime grappling, pa e imagjinuar se një ditë do të përfaqësonte Shqipërinë në Botëror.
Madje në fillim mendonte se ishte “shumë e vjetër” për të nisur një karrierë konkurruese. Por gjithçka ndryshoi kur nisi sparring-et dhe garat. Rezultatet erdhën shpejt, përfshirë edhe fitore me TKO në kampionatet italiane. Tashmë, pas katër vitesh në MMA, Melisa po përgatitet për Botërorin IMMAF 2026, që do të zhvillohet në Tbilisi nga 1 deri më 7 nëntor.
Ajo do të ngjitet në kafaz me një objektiv të qartë: medaljen e artë për Shqipërinë.
Kjo do të jetë edhe gara e fundit e karrierës së saj amatore, përpara kalimit në profesioniste. Përgatitja është intensive dhe mund të shkojë deri në 2-3 seanca stërvitore në ditë. Për këtë arsye, Melisa po kërkon edhe sponsorë që ta mbështesin në rrugëtimin drejt Botërorit. Por përvoja e saj nuk është kufizuar vetëm në Itali. Ajo është stërvitur edhe në Australi dhe Serbi, përkrah sportistëve të nivelit të lartë dhe luftëtarëve profesionistë europianë.
Mbi të gjitha, MMA për Melisën nuk është vetëm një sport. Është ajo që ajo e quan “shansi i dytë”. Para se të niste stërvitjen, pinte alkool dhe cigare dhe jetonte pa një objektiv të qartë. MMA i solli disiplinë, qëllim dhe një mënyrë të re jetese. Për vite me radhë, ajo është ndier mes dy identiteteve: italiane nga vendlindja dhe shqiptare nga rrënjët. Tashmë, në kafaz, këto dy pjesë të saj janë bashkuar. Nga garazhi te Botërori, nga një pasion i nisur për qejf te ëndrra e medaljes së artë – Melisa Boci kërkon të shkruajë historinë e saj dhe të ngrejë flamurin shqiptar në majën e MMA-së./abcnews.al

