Efektivët e Guardia di Finanza-s në Itali e kaluar 157 kilogramë kokainë gjatë një kontrolli në pikën e autostradës në Ventimiglia, qytet kufitar në rajonin e Ligurias.
Policia ndaloi për kontroll një kamion që transportonte kuaj. Sjellja e dyshimtë e shoferit ngriti dyshime te efektivët, të cilët vendosën të kryenin një kontroll më të imtësishëm të automjetit. Me ndihmën e qenve antidrogë, ata zbuluan një ndarje të fshehtë, ku ishin vendosur pakot me kokainë.
Shoferi, një burrë në moshë të mesme, nuk bëri rezistencë dhe u arrestua nën akuzën për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai ndodhet në paraburgim. Sipas autoriteteve, vlera e drogës së sekuestruar llogaritet nga 5 deri në 7 milionë euro. Nëse ajo do të përpunohej dhe përzihej me substanca të tjera për shitje në tregun e rrugës, vlera mund të arrinte rreth 11 deri në 14 milionë euro.
Raporti mbi trafikun e drogës në Liguria nënvizon gjithashtu përfshirjen e grupeve të ndryshme kriminale. Përveç rolit të rëndësishëm të Ndranghetës, evidentohet edhe rritja e rolit të grupeve kriminale shqiptare, të cilat, sipas raportit, nuk kufizohen më vetëm në funksione dytësore, por janë përfshirë gjithnjë e më shumë në logjistikën e trafikut, përfshirë marrjen, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës.
Kokaina prodhohet kryesisht në Kolumbi, Peru dhe Bolivi dhe transportohet drejt Evropës përmes rrugëve detare dhe ajrore.
Ndër pikat kryesore të hyrjes përmenden portet e Spanjës, Belgjikës, Holandës dhe Italisë. Më pas, droga shpërndahet në vende të ndryshme të Evropës përmes rrjetit rrugor, duke përdorur kamionë dhe furgonë.

