Tarifat hakmarrëse të Kanadasë për një gamë të gjerë mallrash amerikane hynë në fuqi të martën, pa asnjë shenjë të një marrëveshjeje tregtare në horizont.
Tarifat do të zbatohen për produkte amerikane me vlerë gati 28 miliardë dollarë kanadezë (20 miliardë dollarë; 15 miliardë paund), nga çeliku te mobiljet e deri te bluzat prej pambuku, dhe do të jenë deri në 50 përqind, shkruan BBC.
Zyrtarët amerikanë dhe kanadezë kanë thënë se do të donin të arrinin një marrëveshje, por nuk është bërë asnjë lëvizje për të rifilluar bisedimet pasi ato dështuan në fund të gushtit.
Duke folur me gazetarët javën e kaluar, kryeministri Mark Carney tha se Kanadaja është ende në kërkim të një marrëveshjeje me SHBA-në që është “e qëndrueshme” dhe në interesin më të mirë të të dy vendeve.
“Jemi gati të ulemi dhe të negociojmë atë marrëveshje kur amerikanët të jenë gati”, tha Carney.
Ndërkohë, përfaqësuesi amerikan i tregtisë, Jamieson Greer, tha të enjten se topi është në fushën e Kanadasë.
“Ne u ofruam atyre marrëveshjen më të mirë, ata e shikuan drejt në fytyrë dhe u kthyen mbrapsht,” deklaroi Greer në një intervistë me Fox News, duke shtuar se ka pasur komunikim të rrallë me kanadezët që kur bisedimet dështuan.

