Integrimi gradual në BE, pa të drejtën e vetos do të ishte zgjidhja më e mirë për anëtarësimin e Shqipërisë në Union. Kryeministri Rama përsërit idenë e lançuar prej tij, duke theksuar se kjo do të jetë mënyra më e mirë për t’u bërë pjesë e familjes europiane, ndërkohë që nga disa vende të Europës fryjnë erëra ekstremiste dhe nacionaliste kundër zgjerimit.
Rama i kujton Bashkimit Europian se edhe ai do të përfitojë edhe ekonomikisht nga anëtarësimi i Shqipërisë, që ka lënë jashtë investimet ruse dhe kineze. Për këtë çështje, analisti Arben Meçe, i ftuar në ABC News, tha se aktualisht ekzistojnë tre pista për mënyrën se si Shqipëria mund të integrohet në Bashkimin Europian.
“Ekzistojnë tre pista, të cilat janë aktive për mënyrë se si do bëhet Shqipëria në BE. Pista e parë është integrimi gradual, pra integrohet ekonomia, në fushën e arsimit dhe shkencës. Më tej kemi një iniciativë tjetër, që është integrimi hap pas hapi. Iniciativa më e avancuar është iniciativa franko-gjermane.
Në thelb të integrimit struktural, është pikërisht ajo që artikuloi Rama sot: do bësh reformë, do plotësosh hap pas hapi kapitujt dhe me të plotësuar kapitujt ti gradualisht hap pas hapi bëhesh pjesë e BE, pa të drejtë veto.
Franca dhe Gjermania janë “nëna e babai” i kësaj iniciative. Rama po mbështet iniciativën. Rama për herë të parë artikulon se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë në BE, pa të drejtë vote”, tha ai./abcnews.al

