CERNOBBIO, ITALI –I ftuar në një konferencë në Itali, kryeministri Edi Rama ishte më se i qartë për skenarët që e presin Shqipërinë në kilometrin e fundit drejt Brukselit.
Sipas Ramës, Shqipëria mund të anëtarësohet vetëm nëse pranohet me integrim gradual, pa veto, ndryshe nuk beson se ka shanse.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na marrë në BE. Duke e nisur nga pjesa reale, tregu i përbashkët ekonomik, duke qenë pjesë e Europës së shkencës, element shumë të rëndësishëm, përpara se të mendosh, apo të mendojmë, unë shoh 7 fëmijët e Ursulës. BE ka 7 fëmijë jashtë, dhe ndërkohë po flasim të hyjmë të negociojmë, por sërish jemi jashtë bllokut.
I kam thënë Ursulës, kur rrisje fëmijët i kishe në shtëpi, nuk i thoje dil aty jashtë te oborri.
Nuk na duhet veto për t’u ulur në tryezë. Si europian, jam kundër. Andrej është në BE, unë jam e pa BE. Pse, Edi, thua që s’kemi nevojë për veto?
Jo, si europian s’dua të ketë veto. Imagjino të kesh edhe 7 të marrë më shumë me veto, do ishte e pamundur. Kështu ndodh, në të kundërt nuk ndodh. Ta them troç, Italia s’është problem. Nuk shoh që Franca të ketë 2/3 e parlamentit, ata s’kanë as 2/3 vetë, jo më me ne. Imagjino të thonë: mirëse vini, Shqipëri, Mali i Zi, hajdeni vendosni veton tani. I sigurt jam që vetoja nuk është e njëjta gjë. Veto mund të hiqet”, theksoi kryeministri.
Rama shpreh keqardhje për erërat e këqija që po fryjnë në Europë, nga Franca në Gjermani, me rritjen e ekstremistëve nacionalistë që janë kundër zgjerimit të BE-së. Ndaj dhe beson se integrimi gradual pa veto është zgjidhja ideale.
“Unë besoj fort, jam ithtar i fortë i Europës. Nuk dua të tingëllojë, por kjo është thirrja e një të dashuruari. Ajo çfarë shoh si problem të madh, për unitetin, për të parë së bashku nga e ardhmja, është ajo që përmendët në hyrjen tuaj, prirjet mjaft nacionaliste dhe që shohin së brendshmi në shumë vende të Europës, që kohë më parë ishin fari ndriçues i BE-së.
Kjo është shumë dëshpëruese për ne. Ne ishim nacionalistët, ata të marrët e rrezikshëm të kontinentit. Dhe befas u bëmë kaq në favor të mënyrës shumë kulturore, të të parit të jetës, është shumë dëshpëruese që të na zmbrapsin sepse natyrisht ka disa që na kushtëzojnë.
Është dëshpëruese që të shohësh qeveri të moderuara demokratike që nuk janë plotësisht në krye, në lëvizje, sepse në fakt politika për një Europë më të fortë e të kushtëzuar, kushtëzohet nga ekstremet. Dhe nga frika për të përmbajtur këto ekstreme, ju merreni me qeveritë e moderuara, që merren me këto ekstreme”, u shpreh Rama.
Për kryeministrin Edi Rama, ekonomikisht BE-ja do të përfitonte shumë nga anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor, sidomos nga Shqipëria, e cila i ka lënë jashtë investimet ruse dhe kineze.
“Mënyra si e kuptojmë, është se Europa nuk e arrin dot autonominë e vet të lëndëve kritike, dhe brenda kuadrit kohor. Nëse WB nuk do të përfshihet, nëse disa instrumente europiane ekzistojnë, për të na futur brenda, nëse kjo bëhet, situata ndryshon.
Shqipëria ka rezervë të madhe bakri, dhe ndërkohë praktikisht po spërkasim kinezët, e të tjerë investues potencialë, në pritje që BE-ja të vijë, sepse dashuria jonë e pakushtëzuar, ne si shqiptarë jemi talebanët perëndimorë, që s’kemi marrëdhënie me Rusinë.
I vetmi vend në Europë dhe botë që prej 1960 s’kemi pasur autoritet rus, asnjë avion nga Tirana për në Moskë. Dhe s’na merr malli. Nuk presim me padurim që të ndodhë, jemi i vetmi vend në Europë që s’ka investim të mirëfilltë kinez. Nuk na mungon çuditërisht”, tha ai.
Në një moment kur Gjermania dhe Franca, në të cilat partitë ekstremiste të djathta euroskeptike po rriten, duke rrezikuar marrjen e pushtetit, qeveritë aktuale të Macronit dhe Merzit kanë propozuar heqjen e vetos në Bruksel.
Por anëtarësimin pa veto në BE për kandidatët e ka propozuar i pari kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një paketë për integrimin gradual të vendeve, me anëtarësim në zonën Shengen dhe tregun ekonomik të përbashkët europian.
Ky propozim është deklaruar edhe nga Macroni e Merzi në samitin e Malit të Zi, ndërsa së fundmi është propozuar edhe nga komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, në 4 shtyllat e saj për reformimin e zgjerimit.
Në rast se kjo ndodh, Shqipëria do të ishte një vend anëtar i BE-së me të drejta të njëjta si Zvicra, e cila nuk është pjesë e Unionit. Shqiptarët do të lëviznin lirisht në BE, si pjesë e zonës Shengen, Shqipëria do të ishte pjesë e tregut të përbashkët ekonomik europian, vetëm nuk do të kishte të drejtë politike të miratonte apo kundërshtonte vendimet në Bruksel.

