Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

BBC: Witkoff dhe Kushner në Moskë e Kiev/ Trump: Po sjellin një propozim për t’i dhënë fund luftës

schedule10:00 - 5 Shtator, 2026

schedule 10:00 - 5 Shtator, 2026

Negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të vizitojnë Rusinë dhe Ukrainën këtë fundjavë, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se do të takohet me të dërguarit amerikanë të dielën, pasi ata të zhvillojnë bisedime në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin të shtunën.

Witkoff dhe Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, kanë udhëhequr përpjekjet e administratës amerikane për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje mes Moskës dhe Kievit. Megjithatë, mes dy palëve vijon të ketë dallime të mëdha, veçanërisht për çështjen e territoreve.

“Ata po sjellin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, u tha Trump gazetarëve, kur u pyet për vizitat e dy të dërguarve.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Witkoff dhe Kushner pritet të mbërrijnë në Moskë dhe më pas në Kiev më 5 dhe 6 shtator. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk dha detaje për axhendën, por deklaroi se autoritetet ruse do të informojnë mediat kur të zhvillohen kontaktet.

Witkoff dhe Kushner e kanë vizituar disa herë Rusinë, ndërsa kjo pritet të jetë vizita e parë e tyre në Ukrainë në kuadër të këtyre përpjekjeve diplomatike.

Ndërkohë, Zelensky ka bërë me dije se gjatë vizitës së delegacionit amerikan do të garantohet siguria e hapësirës ajrore ruse, duke kërkuar që edhe Moska të ndërmarrë të njëjtën masë për Ukrainën.

Përpjekjet diplomatike zhvillohen në një kohë kur luftimet vijojnë. Presidenti ukrainas deklaroi se një dron rus goditi zyrën e shefit të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Oleksandr Poklad, në Kiev. Sipas autoriteteve ukrainase, ai nuk ka pësuar dëmtime.

Ndërkohë, autoritetet rajonale në Dnipropetrovsk kanë raportuar se katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm rus në qytetin Kamianske.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se ekzistojnë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, por ka theksuar se Moska dhe Kievi duhet fillimisht të gjejnë një marrëveshje mes tyre.

Megjithatë, Putin nuk ka dhënë sinjale për tërheqje nga kërkesat e tij për territor, të cilat Ukraina dhe aleatët e saj evropianë i kanë kundërshtuar vazhdimisht, duke i cilësuar si kushte që do të nënkuptonin kapitullim.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!