Shqipëria ka ndaluar importin e mishit nga Brazili duke nisur nga data 3 shtator.
Zv.ministrja e Bujqësisë, Tana Kika, thotë se kjo masë ndaluese vjen pasi Komisioni Europian monitoroi stabilimentetet në Brazil dhe konstatoi se produktet që vijnë nga ky vend nuk garantojnë respektimin e standardeve europiane për përdorimin e antimikrobikëve gjatë gjithë ciklit të jetës së kafshëve.
Rregullat e Bashkimit Europian ndalojnë përdorimin e antibiotikëve dhe substancave të tjera për rritjen e prodhimit në blegtori.
Shqipëria rezulton se importon një sasi të konsiderueshme të mishit të gjedhit dhe shpendëve për konsum nga Brazili por zv.ministrja thekson se kjo do të zëvendësohet me import nga vende të tjera që janë të lejuara nga BE.
Zbatimi i këtij vendimi nga Shqipëria vjen edhe si një detyrim për sigurinë ushqimore në kuadër të integrimit në BE. Autoritetet theksojnë në do të shtohen kontrollet në pikat kufitare. Nga të dhënat e Instat rezulton se vetëm në vitin 2025, shqiptarët kanë konsumuar 13 mijë tonë mish nga ky vend./abcnews.al

