Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Përplasja mes biznesmenëve në Vlorë/ Reagon Lamallari: Policia reagoi menjëherë, autorët do të dalin para drejtësisë

schedule14:13 - 4 Shtator, 2026

schedule 14:13 - 4 Shtator, 2026

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë reaguar nga Kukësi lidhur me ngjarjen e ndodhur në Vlorë, ku një biznesmen dyshohet se është kërcënuar.

Lamallari vlerësoi reagimin e shpejtë të Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.

“Pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, ajo çfarë do të thoja me bindje është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit. Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do gjenden dhe do të vihen para drejtësisë”, tha ministri.

Lamallari shtoi se Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjithë udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se forcat policore u angazhuan menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen.

“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje ku, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore dhe u bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë”, deklaroi Hita.

Ai bëri të ditur se hetimet kanë vijuar për orë të tëra dhe se veprimet procedurale po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë.

“Është një ngjarje që vërtetë ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi dinamikën e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë në përplasjen mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!