Analisti Frrok Çupi komentoi në një intervistë për ABC News deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke u ndalur te zhvillimet rreth “Pasqyrë Albania” dhe “BESA”.
Ai vlerësoi se Rama po kërkon njerëz të aftë për të ndërtuar shtetin dhe se qeveria po orienton vendin drejt një modeli më social e europian.
Sipas analistit, ndryshimet e paralajmëruara, përfshirë ato në Kodin Penal, tregojnë një transformim jo vetëm në stil, por edhe në substancën e qeverisjes.
Çupi theksoi gjithashtu se “revolucioni i flamengove” tashmë është futur në një tjetër rrjedhë dhe se kundërshtarët politikë nuk kanë më të njëjtën kauzë.
“Nuk ka intriga, ka vetëm një dorëheqjen. Ajo erdhi me një aurorë të madhe, erdhi me tituj, nga jashtë, erdhi si një racë më vete dhe kjo qe gjëja më e keqe. Njeriu edhe dështon. Nuk është e para. Rama po kërkon njerëz që të bëjnë shtetin.
Ne kemi probleme jo vetëm me shoqërinë civile, por edhe me të studiuarin jashtë. Po kërkohet një shtet social, kryeministri ka lëshuar alarmin për një shtet social. Rama i ka hyrë një pune famoze, ndriçuese drejt një shteti modern, por problemi është nëse do ia pranojnë të tijët. Shteti ka ndryshuar jo vetëm në stil me idetë në stil, por ka një ndryshim shumë të madh edhe në substancë.
Qeveria po vepron si një vend europian. Rama paralajmëroi dhe ndryshime në Kodin Penal, nëse dikush thyen besimin e qytetarëve. Po përgatitemi për të qenë një vend europian. Rama revolucionin e flamengove e përdori, e futi në shteg, dhe e përdori për mirë. Tashmë ata nuk kanë ma asnjë kauzë”, tha analisti Çupi.

