VLORË– 10 persona të armatosur kanë kërcënuar biznesmenin Vasil Bedinaj, pronar i një hoteli në Orikum të Vlorës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:30, ku fillimisht kanë kërcënuar me fjalë pronarin e hotelit, ndërsa më pas kanë përdorur edhe armët, duke i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh. Mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit.
Menjëherë forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe I janë vënë në ndjekje autorëve. Gjatë ndjekjes, 3 nga personat e përfshirë të cilët udhëtonin me një automjet brenda së cilës është gjetur dhe një armë zjarri janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Një prej personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë është dërguar në komisariat ndërkohë dy të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti.
5 milionë euro ndryshe zhduku nga Shqipëria- ka deklaruar në polici Vasil Bedinaj. Ai është biznesmen i njohur në Vlorë dhe njëkohësisht kryetar i shoqatës së operatorëve turistikë për jugun e Shqipërisë prej shumë vitesh.
Lidhur me ngjarjen forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të qytetit të Vlorës, në përpjekje për të bërë të mundur kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.

