Viktor Bardhi është ekzekutuar me armë zjarri ditën e sotme në Mirditë, në një ngjarje që rikthen në vëmendje një seri vrasjesh ndër vite.
Vetëm tre vite më parë, në shtator të vitit 2023, vëllai i tij, Martin Bardhi, u vra me armë zjarri në ambientet e lokalit të tij në Mirditë. Ngjarja dyshohet se lidhej me një konflikt të hershëm dhe hakmarrjen.
Martin Bardhi sapo kishte dalë nga burgu kur u qëllua për vdekje. Ai ndodhej në një tavolinë me tre të afërm, kur dy persona të maskuar zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr me armë kallashnikov.
Breshëria e plumbave i mori jetën Martin Bardhit në vend, ndërsa tre të afërmit e tij mbetën të plagosur.
Por seria e ngjarjeve të rënda nuk u ndal me kaq. Në vitin 2025, familja u godit sërish nga një tjetër vrasje.
Kristian Marku, i njohur edhe si Kristi Bardhi, 30 vjeç, i cili ishte nipi i Martin Bardhit, u vra me armë zjarri në autostradën Fier–Vlorë, pranë fshatit Novoselë.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së sotme, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të krimit.

