Vrulli i fundit nuk zhgënjeu. Dritarja e transferimeve futboll u mbyll me një ritëm rekord, ndërsa Premier League konfirmoi edhe një herë se luan në një kategori më vete, madje edhe me rregulla të ndryshme.
Klubet anglezë thyen rekordin historik të shpenzimeve për transferime për të dytën verë radhazi. Shifra prej 3,582 miliardë eurosh e investuar një vit më parë është tejkaluar tashmë, pasi liga angleze e kaloi pragun e 3,7 miliardë eurove.
Kjo nuk përbën befasi. Plot 12 klube të Premier League realizuan blerjen më të shtrenjtë në historinë e tyre këtë verë. Ata janë Chelsea, Manchester City, Tottenham, Aston Villa, Brighton, Brentford, Leeds, Fulham, Coventry, Ipswich, Nottingham Forest dhe Hull City.
Në këtë mënyrë, Premier League tregoi një dominim financiar, ndaj Ligave të tjera të mëdha të kontinentit të vjetër, duke i lënë ato pas dhe me shumë diferencë.
Kështu, në vendin e dytë renditet Serie A italiane, që pas vitesh mungesë të theksuar në shpenzime, në dritaren e fundit të tregut të transferimeve u tregua më dorëlëshuar.
Klubet italianë nxorrën nga arkat e tyre gati 1.2 miliardë euro, kjo falë skuadrave të mëdha si Milan, Juventus, Inter dhe Napoli.
Treshja e parë e podiumit të Ligave që kanë investuar më shumë në merkaton e verës plotësohet me Bundesligën gjermane, klubet e të cilës kanë shpenzuar afërsisht 784 milionë euro.
Pavarësisht disa blerjeve të rëndësishme të Real Madrid, si ajo e Yan Diomande apo e Anthony Gordon nga Barcelona, La Liga e kishte “shtrënguar rripin” këtë verë duke shpenzuar rreth 739 milionë euro. Pesëshja e parë e kësaj renditje plotësohet me Ligue 1 franceze me 605 milionë euro të shpenzuara nga klubet e saj në merkato. “Fajin” për këtë e kishte Paris SG, që ndryshe nga vitet e shkuar nuk kishte nevojë për të investuar në merkato./abcnews.al

