Bilanci i përmbytjeve katastrofike pranë kufirit mes Nepalit dhe Kinës është rënduar ndjeshëm. 750 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 3044 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Sipas autoriteteve nepaleze, 734 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa 2,498 rezultojnë të zhdukur. Në anën kineze, autoritetet kanë raportuar 16 viktima dhe 546 persona të zhdukur në Tibet.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat e prekura, por kushtet e vështira atmosferike dhe terreni malor po e komplikojnë ndjeshëm operacionin.
Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e përmbytjeve të reja, pas rritjes së nivelit të ujërave në lumenjtë e zonës.
Katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha në banesa, rrugë, ura dhe infrastrukturë, ndërsa mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga zonat e rrezikuara.
Por alarmi më i madh mbetet rreziku i një vale tjetër përmbytjesh që mund të zbresë nga Himalajet, duke shtuar frikën për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Një liqen akullnajor, i formuar nga ujërat e përmbytjeve dhe mbetjet pranë kufirit Nepal-Tibet, mund të dalë nga brigjet dhe të godasë banorët e luginës kufitare.
Banorët e zonës mbeten në një emergjencë të thellë humanitare, pas shkatërrimit të shkaktuar nga përmbytjet katastrofike.
Në zonat më të goditura po mbërrijnë kamionë me ndihma ushqimore dhe mjekësore, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të arritur te komunitetet e izoluara.
Situata mbetet kritike, ndërsa frika për përmbytje të reja dhe përkeqësimi i kushteve atmosferike rrezikojnë të thellojnë edhe më tej përmasat e kësaj tragjedie.

