LEZHË- Pesë nga gjashtë anëtarët e familjes së plagosur nga shpërthimi në banesën e tyre në Markatomaj të Lezhës janë jashtë rrezikut për jetën.
Në gjendje të rënduar vijon të jetë vetëm kryefamiljari, Saimir Kola, i cili ka marrë plagë të rënda nga djegia dhe është transportuar në Tiranë për trajtim të specializuar.
Nga hetimet paraprake dyshohet se brenda banesës ka pasur rrjedhje gazi, ndërsa shpërthimi mendohet të jetë shkaktuar në momentin e ndezjes së llambave.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21. Shpërthimi në banesën dykatëshe plagosi gjashtë anëtarë të familjes, mes tyre edhe dy fëmijë 10 dhe 13 vjeç.
Të plagosurit e tjerë, tre gra dhe dy fëmijët, po marrin trajtim në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Familjarët po përgatiteshin të shkonin në një dasmë, ku Saimir Kola do të martonte mbesën. Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe shkakun e shpërthimit./abcnews.al

