Shteti i ri Bektashi, më afër se kurrë. I dërguari special i bektashinjve në SHBA, Kristofer Hyland, dikur ish-këshilltar i Presidentit të SHBA, Bill Clinton, në një artikull të posaçëm të gazetës së përditshme holandeze NRC, ka deklaruar se në 2 vite, janë marrë masa konkrete për të finalizuar krijimin e shtetit të ri bektashi, që do të njoftohet shumë shpejt.
“Unë nuk paguhem për këtë dhe nuk kam asnjë interes biznesi. Bëhet fjalë për dhënien e një kontributi në histori. Sa shpesh e kanë parë këta kritikë një vend të krijuar? Kurrë. Nuk kemi qenë kurrë kaq afër. Dhe nesër do të jemi një hap më afër”, tha Christopher Hyland.
Masat që rendit Hyland lidhen me ndryshimin e kuadrit kushtetues shqiptar, njohjen ndërkombëtare dhe nënshkrimin e traktateve që do të ishin ndër proceset e nevojshme për realizimin e projektit.
Kristofer Hyland është raportuar më herët se do të jetë ambasadori bektashi në SHBA me krijimin e shtetit të ri, kurse për Europën, konkretisht në Francë e Belgjikë, i dërguar do të jetë Haziz Vardar.
Për median holandeze, ai tha shkurtimisht se Bektashinjtë përfaqësojnë tolerancën, dashurinë dhe miqësinë me fetë e tjera.
Krijimi i shtetit të ri bektashi u njoftua 2 vite më parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Një shtet që do të shtrihej në 11 hektarë në kryeqytetin e Tiranës, konkretisht në territorin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve që drejtohet sot nga Haxhi Dede Baba Mondi. Një shtet i ri, më i vogël se Vatikani, me gjithë funksionet e veta, për të siguruar mbijetesën e komunitetit fetar bektashi, që sipas medias holandeze përllogaritet të ketë sot 150 mijë praktikues aktivë, ndërsa në total të jenë 7-20 milionë të vendosur kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Turqi.


