Dolly Parton, një prej ikonave më të mëdha të muzikës amerikane dhe një prej figurave më të dashura të kulturës pop, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare.
Këngëtarja, kompozitorja, aktorja dhe filantropistja ndërroi jetë të martën në shtëpinë e saj në Nashville, sipas një deklarate të familjes.
Familjarët thanë se se ceremonia mortore do të jetë e vogël dhe private, me pjesëmarrjen e familjarëve të saj të afërt.
Largimi i saj shënon fundin e një prej historive më të jashtëzakonshme të suksesit në muzikën amerikane. Dolly Parton nuk ishte thjesht një yll i muzikës country.
Ajo ishte një autore e jashtëzakonshme, një sipërmarrëse, një aktore, një filantropiste dhe një grua që ndërtoi me vetëdije një imazh të veçantë, duke e kthyer atë në një nga markat më të fuqishme të showbiz-it botëror.

Jeta në Tennessee
Dolly Parton lindi më 19 janar 1946 në një familje të varfër në Tennessee. Ajo ishte fëmija i katërt nga 12 fëmijë dhe u rrit në një shtëpi të vogël, ku mungonin shumë prej gjërave bazë.
Babai i saj nuk dinte të lexonte, ndërsa nëna ishte një prej burimeve të para të dashurisë së saj për muzikën. Në familjen Parton këndohej në dasma, e festa, ndërsa historitë e njerëzve të zakonshëm do të shndërroheshin më vonë në materialin e këngëve të saj.
Një prej kujtimeve më të fuqishme të fëmijërisë u kthye në këngën “Coat of Many Colors”, ku Parton tregoi historinë e një palltoje të qepur nga nëna e saj me copa të ndryshme rrobash, sepse familja nuk kishte mundësi të blinte një të re.
Në moshën vetëm 7-vjeçare ajo mësoi të luante kitarë dhe nisi të shkruante këngët e para. Që atëherë, muzika u bë rruga përmes së cilës ajo do të largohej nga varfëria dhe do të ndërtonte një prej karrierave më të mëdha në historinë e muzikës.
Nashville dhe fillimi i ëndrrës
Pas shkollës së mesme, Parton u zhvendos në Nashville për të ndjekur ëndrrën e saj. Në vitin 1965 nënshkroi kontratën e parë diskografike, ndërsa në vitin 1967 nisi të shfaqej rregullisht në “The Porter Wagoner Show”.
Wagoner ishte atëherë një emër më i madh në muzikën country dhe e ndihmoi Parton të bëhej e njohur. Por shumë shpejt u bë e qartë se ajo nuk ishte thjesht një këngëtare që do të qëndronte në hijen e dikujt tjetër.
Parton shkruante këngët, ndërtonte imazhin e saj dhe e kuptonte shumë mirë vlerën e talentit të vet. Në vitin 1974 vendosi të largohej nga Wagoner dhe të ndiqte rrugën solo.
Vendimi shkaktoi edhe një konflikt të madh mes tyre, që përfundoi në gjykatë, por Parton nuk u tërhoq.
“I Will Always Love You”
Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj ishte kënga “I Will Always Love You”, të cilën e shkroi për t’i dhënë fund partneritetit profesional me Porter Wagoner.
Kënga u bë një sukses i madh për Parton, por historia e saj mori përmasa globale kur Whitney Houston e interpretoi për filmin “The Bodyguard” në vitin 1992.
Versioni i Houston u shndërrua në një prej hiteve më të mëdha të të gjitha kohërave dhe i solli Parton miliona dollarë nga të drejtat e autorit. Madje, Parton kishte refuzuar më herët një kërkesë për ta regjistruar këngën nga Elvis Presley, pasi menaxheri i tij kërkonte një pjesë të të drejtave të botimit.
Parton zgjodhi të mos hiqte dorë nga pronësia e këngës.
Një grua që e kontrollonte vetë imazhin e saj
Në vitin 1977, gjatë një interviste të famshme me gazetaren Barbara Walters, Parton u përball me një sërë pyetjesh mbi pamjen, veshjet, paruket dhe mënyrën se si perceptohej nga publiku.
Walters e pyeti nëse Parton ndihej ndonjëherë si një “shaka”, duke iu referuar imazhit të saj shumë të kuruar dhe pamjes së saj karakteristike.
Përgjigjja e Parton ishte e qartë: “Shakaja është për publikun. E di saktësisht se çfarë po bëj dhe mund ta ndryshoj në çdo kohë. Jam e sigurt për veten time. Jam e sigurt për talentin tim.”
Kjo fjali përmblidhte filozofinë e saj. Paruket, veshjet e ndritshme dhe stili i ekzagjeruar nuk ishin një rastësi. Parton e ndërtoi vetë personazhin e saj publik dhe e përdori atë si një mburojë, por edhe si një mënyrë për të kontrolluar mënyrën se si bota e shihte. Pas imazhit të “vajzës bionde” fshihej një prej grave më të zgjuara në biznesin e muzikës.
Një zë që sfidoi Nashville-n
Parton ishte shumë më e guximshme nga sa dukej. Në një kohë kur industria e muzikës country dominohej kryesisht nga burra, ajo shkroi këngë që trajtonin varfërinë, pabarazinë, gratë dhe jetën e vështirë të njerëzve të zakonshëm.
Kënga “Down from Dover”, që tregonte historinë e një gruaje të re shtatzënë dhe të braktisur, ishte aq e rëndë për kohën sa Porter Wagoner e kundërshtoi publikimin e saj.
Kënga u ndalua edhe nga disa radio stacione country.
Parton gjithashtu shkroi “Just Because I’m a Woman”, një këngë që trajtonte standardet e dyfishta ndaj grave, edhe pse ajo vetë për shumë vite shmangu etiketimin “feministe”.
Nga country te pop-i dhe Hollywoodi
Në fund të viteve ’70, Parton nisi të kalonte përtej kufijve të muzikës country. “Here You Come Again” u bë një hit i madh pop, ndërsa “9 to 5” në vitin 1980 e çoi atë në majat e klasifikimeve muzikore.
“9 to 5” ishte gjithashtu kënga kryesore e filmit me të njëjtin emër, ku Parton luajti së bashku me Jane Fonda dhe Lily Tomlin.
Ajo vazhdoi karrierën në Hollywood me filma si “The Best Little Whorehouse in Texas” dhe “Steel Magnolias”, duke fituar admirues edhe jashtë muzikës.
Në vitin 1983, “Islands in the Stream”, dueti i saj me Kenny Rogers, u bë një tjetër prej hiteve të saj më të mëdha.
Një rikthim te rrënjët
Pasi periudha e saj si yll i madh i pop-it u zbeh disi, Parton nuk e humbi kurrë lidhjen me muzikën country dhe rrënjët e saj.
Në fund të viteve ’90 ajo u rikthye fuqishëm te bluegrass, folk-u i Appalachia-s dhe gospel-i country. Albumi “The Grass Is Blue” fitoi Grammy dhe shënoi fillimin e një periudhe të vlerësuar shumë nga kritikët.
Edhe pse nuk pati më të njëjtin numër hitesh në top listat pop, emri i saj nuk u largua kurrë nga skena.
Një ikonë që ndikoi edhe breza të rinj
Në shekullin XXI, ndikimi i Parton u bë edhe më i dukshëm. Artistë të rinj e cilësuan si frymëzim dhe trashëgimia e saj u shtri përtej muzikës country.
Taylor Swift e ka përshkruar si “një forcë evolucioni dhe transformimi” në muzikë, ndërsa Parton bashkëpunoi edhe me Miley Cyrus.
Kur Beyoncé iu drejtua muzikës country me albumin “Cowboy Carter”, Parton ishte pjesë e projektit përmes një hyrjeje të veçantë për versionin e saj të “Jolene”.
Në vitet e fundit, ndikimi i saj mund të dëgjohej edhe te artistët më të rinj të muzikës pop, duke dëshmuar se këngët e saj nuk i përkisnin më vetëm një zhanri apo një brezi.
Pasuria u kthye në bamirësi
Përtej muzikës, një prej trashëgimive më të mëdha të Parton është puna e saj humanitare. Ajo themeloi “Bibliotekën e Imagjinatës”, një program që u ka dhuruar më shumë se 300 milionë libra fëmijëve.
Ajo gjithashtu mbështeti kërkimet për vaksinën Moderna kundër Covid-19 dhe dhuroi 1 milion dollarë për kërkimet mbi koronavirusin në Universitetin Vanderbilt.
Pas fatkeqësive natyrore në Tennessee dhe zona të tjera, fondacionet e saj kanë ndihmuar familje që kanë humbur shtëpitë dhe pasurinë.
Një jetë private, një dashuri e gjatë
Pavarësisht famës së jashtëzakonshme, Parton arriti të ruante pjesërisht jetën e saj private. Ajo u martua me Carl Dean në vitin 1966 dhe qëndruan së bashku për 59 vite.
Dean qëndroi kryesisht larg vëmendjes publike, ndërsa Parton e ka përshkruar marrëdhënien e tyre si një prej sekreteve të jetëgjatësisë së martesës.
Dean ndërroi jetë në mars të vitit 2025, në moshën 82-vjeçare. Humbja e tij ishte një goditje e madhe për Parton.
Në vitet e fundit, këngëtarja foli edhe për probleme të ndryshme shëndetësore dhe pranoi se pas sëmundjes dhe vdekjes së bashkëshortit kishte lënë pas dore kujdesin ndaj vetes.



Nga një “kasolle e vogël” te një perandori
Historia e Dolly Parton është historia e një vajze që u rrit në varfëri dhe që arriti të ndërtonte një perandori muzikore, kulturore dhe humanitare.
Ajo shkroi më shumë se 3 mijë këngë, fitoi 11 çmime Grammy, publikoi dhjetëra albume, luajti në Hollywood dhe ndërtoi Dollywood, një prej parqeve më të njohura argëtuese në SHBA.
Por ndoshta trashëgimia e saj më e madhe nuk matet me çmimet, milionat apo rekordet. Dolly Parton arriti diçka që shumë pak artistë e kanë bërë: u bë një ikonë që kapërceu zhanret, brezat dhe kufijtë.
Nga fëmija i varfër i Tennessee-s te një prej yjeve më të mëdhenj të Amerikës, ajo e shkroi vetë historinë e saj.
Dhe pyetja që dikur i bëri Barbara Walters, nëse ndihej si një “shaka”, sot duket e largët.
Dolly Parton e dinte shumë mirë se çfarë po bënte. Dhe bota nuk do ta harrojë lehtë.
/abcnews.al/






