Ismail Tasholli, organizator i “Liria ka emër”, ka bërë të ditur aktivitetet e radhës në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Tasholli tha se motoja e re e organizimit është “Kosova po pret”, ndërsa paralajmëroi një marsh në Prishtinë më 12 shtator dhe një tjetër aktivitet në Hagë më 16 shtator.
Ai tha se organizatorët kanë tashmë përvojë në zhvillimin e aktiviteteve të tilla, duke përmendur marshin me motoristë, ndërsa vlerësoi edhe angazhimin e diasporës.
Sa i përket aktivitetit në Hagë, organizatori bëri me dije se ai do të nisë një orë para seancës dhe do të vijojë në formën e një marshi.
“Kosova po pret, është motoja e re dhe po organizojmë dhe aktivitete të tjera. 12 shtator është marshi në Prishtinë dhe më 16 do të jetë në Hagë.
Tashmë kemi edhe përvojë sepse kemi qenë me marshin me motoristë dhe nuk besoj se do të ketë problem. Diaspora është shumë e zëshme në kontekstin e padrejtësisë dhe aktivizimi i tyre është permanent.
Organizimi në Hagë do të nisë një orë para nisjes së seancës dhe do e përcjellim në formën e marshit. Kemi një larmishmëri të aktiviteteve dhe kryesorja është ora që numëron mbrapsht, që është simbolika e 16 shtatorit në Hagë.”


