Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Kryeministri flet pas mbledhjes dyditore në Pogradec/ “Transparencë për qytetarin”, Rama: “Besa”, prioritet i qeverisë! Fokus te arsimi, shëndetësia e çmimet

schedule18:39 - 24 Gusht, 2026

schedule 18:39 - 24 Gusht, 2026

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë në Pogradec, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar edhe një komunikim me ndjekësit në Facebook.

Ai theksoi se tashmë “Besa” është prioritet i qeverisë dhe se “Pasqyrë Albania” do të jetë një mundësi ku qytetari do të informohet në kohë reale”.

“Shkon qeveria te qytetari shkon shteti te qytetari për të mos e lënë të papërgatitur. Nuk flasim për një portal, por për një pasqyrë ku shteti do të thotë se çfarë po ndodh. Sa punë është bërë deri tani, pse po vonohet? Jemi përqendruar shumë te shëndetësia, te arsimi. Te krijimi i një zinxhiri, janë shtuar mundësitë për një Shqipëri sociale”, tha ai.



Komunikim i Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve! Uroj të mos ketë probleme me sinjalin, sepse sapo kemi përfunduar maratonën përgatitore të përgatitjeve për sezonin e ri, vitin e dytë të këtij mandati, dhe jam duke ecur drejt Pogradecit ose nëpërmjet Pogradecit, dhe këtu ka dy-tre pika që ka pak problem me sinjalin, por do mundohem të flas sa më shkurt, pasi ka pasur interesim edhe nga mediat aty të pranishme, por preferova këtë kontakt të drejtpërdrejtë për të thënë që kemi përgatitur shumëçka, tanimë duke i dhënë dorën e fundit, pasi kemi punuar intensivisht edhe si reflektim i thelluar i asaj që nisi përpara sesa pushimet të ndërprisnin punën intensive të ditës, edhe pse ishin pushime aktive në këtë drejtim, dhe kemi konsoliduar disa pozicione, qoftë lidhur me raportin qytetar-shtet dhe shtet-qytetar, dhe këtu kam parasysh qeverisjen ekzekutive, por edhe shumicën parlamentare.

Kemi konsoliduar pozicionin lidhur me qasjen e re të partisë në territor përmes “pranisë besnike” dhe kemi po ashtu konsoliduar disa pozicione lidhur me risitë e vitit të dytë në aspektin e programeve të qeverisë, të cilat shtrihen nga disa programe të mëdha, ku mbase ai më i spikaturi do të jetë programi i strehimit, për faktin që vjen si një gjë krejt e re, dhe deri tek një sërë programesh të tjera që prekin faktikisht disa sektorë, pa harruar dhe ecurinë e punës që tanimë është puna e projektuar qysh në krye të herës.

“Besa” është tanimë një koncept i konsoliduar në themel të pozicionit të parë në raportin shtet-qytetar dhe qytetar-shtet. Dhe “Besën” ne e shohim si një akronim, jo thjesht si fjalën më të vyer të thesarit të kulturës dhe historisë shqiptare, një akronim që thotë besim, thotë empati, thotë shërbim dhe thotë angazhim. Dhe me këtë togfjalësh kemi përcaktuar dhe hapat që do të ndiqen për ta çuar në një nivel tjetër marrëdhënien, duke pasur parasysh që tani disponojmë dy baza shumë të rëndësishme, bazat teknologjike të marrëdhënies e-Albania dhe Bashkëqeverisjen, të cilave do t’u bashkohet dhe “Pasqyra Albania”, që do të jetë dritarja e vetme unike ku qytetari do të drejtohet.

Do të drejtohet për t’u informuar në kohë reale për gjithçka që qeveria e tij, që shteti i tij, në aspektin gjithmonë, sepse në një moment të dytë, nëse e shohim të arsyeshme dhe kur ta shohim të arsyeshme, dhe komponentët e qeverisjes së gjyqësorit mund t’i bashkëngjiten asaj dritare, është një dritare ku secili ka autonominë e vet për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet.

Nuk është thjesht vetëm halli, kërkesa e qytetarit, që do të konceptohet si një letër apo si një pako që çohet me postë, me DHL dhe statusi i së cilës ndiqet në kohë reale, dhe statusi mbart dhe përgjegjësitë e afateve, dhe ky është synimi i këtij projekti, por edhe gjithë pjesa tjetër që shkon qeveria te qytetari, shkon shteti te qytetari, për të mos e lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumente përballë atij ndërmjetësi të padukshëm që ka hyrë në jetët tona, që është algoritmi. Dhe kur them të papërgatitur, këtu nuk flasim për një portal propagandistik, nuk flasim për një portal që do të tregojë se çfarë do të bëjmë ne në të ardhmen, se kjo nuk ka lidhje me qëllimin e Pasqyrës, por flasim për një pasqyrë ku shteti do të thotë se çfarë po bën. Do të shikosh statusin e një rruge, ku është, kush po e bën, sa pjesë e punës është bërë deri tani, pse po vonohet, kush po e vonon, do të duhet ta ndjekësh, sepse ajo është një punë që bëhet për ty.

Kemi po ashtu përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor. Jemi përqendruar shumë te shëndetësia, jemi përqendruar shumë te arsimi. Jemi përqendruar tek krijimi i një zinxhiri i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë sociale. Sot një Shqipëri sociale është jo thjesht e rëndësishme, sepse ka qenë gjithmonë, por fillon të bëhet e mundshme më shumë se deri më sot, sepse janë shtuar mundësitë.

Një Shqipëri sociale në gjërat që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve. Sot është më shumë sesa çfarë ishte në të shkuarën mbijetesa, sot është cilësia e jetës.

Kemi folur për çmimet, natyrisht. Kemi një plan për këtë. Jetojmë në një sistem ku nuk kemi asnjë eksperiencë, asnjë praktikë të përcaktimit të çmimeve nga shteti.

Kjo është e pamundur, por kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë, plan të cilin do ta prezantojmë më herët sesa vonë, në momentin kur të jetë i konsoliduar plotësisht me detajet, ashtu sikundër edhe një sërë, ashtu siç thashë, komponentësh të tjerë të programit.

Dëgjoni, unë e kuptoj shumë mirë që gjithë sa ka ndodhur në këtë periudhë, ka “gërryer një shtrat të një lumi”, nëse mund ta bëj këtë krahasim të qeverisjes edhe të raportit të qytetarit me shtetin e qeverisë, por unë jam i bindur që, siç e kam thënë qysh në krye të herës, në të gjithë këtë vorbull, ata që do të dalin më të fortë, do të jenë qytetarët shqiptarë dhe qeveria e tyre, sepse qeverisja do të përmirësohet dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, dhe jo thjesht sepse qeverisja, bazuar edhe në dijen e fituar, edhe në eksperiencën e fituar, edhe në burimet njerëzore në dispozicion, vetvetiu duhet të përmirësohet, sepse në të kundërt nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë, por sepse në këtë rast, ka qenë vërtetë një dhuratë ajo që ka ndodhur për të fituar atë që na ka munguar për një kohë të gjatë, sepse s’kemi pasur asnjëherë opozitë në gjendje që të na sfidojë realisht dhe ajo protestë që ndodhi na ka sfiduar realisht, jo kjo që vazhdon, se kjo që vazhdon është një gjë krejt tjetër për të cilën as kam interes që të flas.

Është një konglomerat i cili sigurisht që ka të gjithë të drejtën e vet të vazhdojë të ekzistojë, për sa kohë ka fuqinë dhe ka edhe “karburantin” e paguar për të ekzistuar. Po s’është kjo. Kjo më ngjan shumë me ato jashtënxjerrjet e zakonshme të opozitës së vetëasgjësuar. Flas për atë protestë, për sa kohë ajo ishte qytetare dhe për sa kohë aty u shfaqën njerëz të cilët i çoi aty nevoja për të bashkuar zërin dhe për të thënë, “sot, ne meritojmë më shumë”. Ky është thelbi. Dhe nuk na mjaftojnë ato që janë bërë, nuk na mjafton absolutisht krahasimi me nga u nisëm etj., etj. Kështu që unë jam i bindur për këtë, jam shumë optimist për këtë, jam shumë i energjizuar për këtë dhe dua vetëm që të mos harroni një gjë të gjithë; Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, nuk ka qenë kurrë më e vlerësuar ndërkombëtarisht, nuk ka qenë kurrë më e mbështetur në mundësi reale për të bërë më shumë dhe kjo ka një arsye themelore, sepse Shqipëria nuk ka qenë më një vend në shitje ose një vend i shitur, se nuk ka vend në shitje ose vend të shitur që respektohet ndërkombëtarisht, nuk ka vend në shitje dhe vend të shitur që shton mundësitë e veta për njerëzit e vet, nuk ka vend në shitje dhe vend të shitur që rritet çdo ditë, pavarësisht se mund të rritet më shumë, dhe të rritet më shumë dhe të ketë më shumë, ok, të gjitha. Të gjitha përpjekjet i kemi bërë, do të vazhdojmë t’i bëjmë.

Ah, se kam dhe një merak tjetër, se shoh që ka herë pas here, kur në këto video, njerëz që merren me hundën time, merren me këtë asimetrinë këtu. Merren me këtë asimetrinë këtu dhe, falë edhe kontributit të algoritmit që ka ndërmjetësuar “qenërinë” politike të Shqipërisë jashtë këtyre pasqyrave digjitale me ata që jetojnë në këto pasqyra, vjen ajo ironia e mallit, e drogës, e shtrembërimit nga…

Ky shtrembërim këtu është shenja që trupi im do ta mbajë gjithë jetën nga një tentativë për të më fshirë nga faqja e këtij dheu ku unë kam lindur, ku jam rritur dhe ku jam sot këtu, sepse edhe këtë gjurmë nuk e kam nga ndonjë arsye tjetër, po sepse edhe kur s’kisha asgjë në dorë, doja një vend që të rrinte drejt. Doja të jetoja në një vend që të mos i bënte bijtë e vet të ulnin kokën kur i pyesnin “ça je ti? Nga je?”. Dhe është pikërisht për këtë vend që unë mbaj dhe këtë gjurmën këtu. Nuk ju vë faj të gjithëve ju që i bëni “thirrje” hundës sime, duke i qarë hallin për mallin e keq që ka marrë, sepse jeni përgjithësisht shumë më të rinj sesa ajo histori dhe unë nuk jam këtu për të treguar historinë time. Për mua s’ka asnjë rëndësi historia. Nëse ka një histori timen që unë një ditë mund ta tregoj, është historia e gjërave që nuk arrita të bëj dot. Asgjë tjetër. Të tjerat janë aty dhe do të jenë aty. Quhet “heritage”. Do të flasim!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!