15 vatra zjarri janë raportuar në vend deri në orën 14:00 të kësaj të diele, 23 gusht, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 8 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 213 forca, mes tyre 153 forca operacionale dhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura. Në terren janë 10 mjete zjarrfikëse dhe një ekskavator i rëndë me zinxhir, ndërsa nga ajri operacionet mbështeten nga dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Vëmendja kryesore është përqendruar në Krastë të Krujës, ku zjarri vijon me intensitet dhe ndodhet pranë zonave të banuara. Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse të Krujës, të mbështetura nga ekipet e Kamzës dhe Vorës, ndërsa ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me një helikopter.
Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja me 15 zjarrfikës dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë të Helmes në Bulqizë, 11 efektivë të MZSH-së po punojnë për kontrollin e dy vatrave në sipërfaqe pyjore.
Në Tenë të Mirditës situata paraqitet e stabilizuar, ndërsa në Shtuf vatra ka intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
Ndërkohë, në Prozhem të Pukës vijon operacioni me tre mjete zjarrfikëse, 15 efektivë, 13 forca të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zonës, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Situata në Gojan–Gjegjan është përmirësuar ndjeshëm, pasi vatrat janë izoluar ose shuar dhe vijojnë të jenë nën mbikëqyrje.
Ndërsa në Malin e Çikës, mbi Palasë, operacioni për shuarjen përfundimtare të zjarrit po mbështetet nga dy avionë Air Tractor.


