Pitoni 4.5 metra i nënshtrohet trajtimit të parë të këtij lloji kundër kancerit
Një piton femër 4.5 metra i gjatë dhe rreth 50 kilogramë është bërë gjarpri i parë në botë që i është nënshtruar elektrokimioterapisë, një trajtim inovativ kundër kancerit që përdoret kryesisht te njerëzit dhe kafshët e tjera.
Jodie Foster, e cila jeton në kopshtin zoologjik të Chesterit në Britaninë e Madhe, u diagnostikua me fibrosarkomë, një tumor malinj agresiv në nofull. Pas heqjes kirurgjikale të tumorit, sëmundja u rikthye dhe nisi të prekte edhe kockën e nofullës.
Përballë rrezikut që gjarpri të humbiste aftësinë për t’u ushqyer, veterinerët bashkëpunuan me specialistë të kancerit për të përshtatur elektrokimioterapinë për rastin e saj.
“We had to have two operating tables side by side to account for her size”
Veterinary Officer at the Chester Zoo Animal Health Centre, Charlotte Bentley, tells Sky News how they treated a 15ft python, named Jodie, for cancer in what’s been called a world-first treatment. pic.twitter.com/xWeJgsny19
— Sky News (@SkyNews) August 21, 2026
Procedura zgjati rreth 90 minuta. Për shkak të përmasave të jashtëzakonshme të pitonit, veterinerët u detyruan të bashkonin dy tavolina operacioni për të krijuar një sipërfaqe mjaftueshëm të madhe.
Gjatë ndërhyrjes u hoq tumori së bashku me një pjesë të kockës së dëmtuar të nofullës. Më pas u aplikua elektrokimioterapia, e cila kombinon ilaçin antikancerogjen bleomicinë me impulse elektrike të kontrolluara. Këto impulse ndihmojnë që ilaçi të depërtojë më efektivisht në qelizat tumorale dhe t’i shkatërrojë ato.
Rezultatet kanë qenë pozitive. Muaj pas trajtimit, Jodie Foster është rikthyer në sjelljen e saj normale, ushqehet pa probleme dhe nuk ka shenja të rikthimit të kancerit.
Veterinerët dhe studiuesit e Universitetit të Liverpulit e kanë cilësuar rastin si një shembull të rëndësishëm të bashkëpunimit mes specialistëve. Përvoja pritet të dokumentohet më tej, me synimin që kjo metodë të mund të përdoret në trajtimin e kafshëve të tjera.
Emri Jodie Foster iu vendos pitonit pasi punonjësit e kopshtit zoologjik panë inicialet “JF” në dokumentet e tij, të cilat shënonin gjininë dhe moshën, dhe i lidhën ato me emrin e aktores së njohur amerikane.


