Zjarret që kanë përfshirë këtë vit disa vende evropiane, përfshirë Francën, Belgjikën, Britaninë dhe Norvegjinë, mund të jenë shenjë e një tendence që do të përkeqësohet në dekadat e ardhshme.
Një studim i ri paralajmëron se ndryshimet klimatike mund të trefishojnë sipërfaqen e Evropës të prekur nga zjarret deri në fund të shekullit, nëse emetimet e gazeve serrë nuk reduktohen.
Në një skenar me emetime të larta, ku temperaturat globale rriten me rreth 3.6°C mbi nivelet para-industriale, studiuesit parashikojnë se sipërfaqja e Evropës e prekur nga zjarret mund të rritet me 193%, duke arritur në rreth 53 mijë kilometra katrorë në vit. Rritja pritet të prekë veçanërisht Evropën Perëndimore dhe Qendrore, zona që historikisht nuk janë përballur me zjarre të mëdha në të njëjtën shkallë.
Shkencëtarët thonë se temperaturat më të larta, thatësirat më të gjata dhe më intensive, si dhe kushtet e favorshme të erës, do të krijojnë një terren gjithnjë e më të rrezikshëm për përhapjen e zjarreve. Bashkëautorja e studimit, Dr. Kirsten Thönike nga Instituti i Potsdamit për Kërkime mbi Ndikimin e Klimës, paralajmëron se zjarret në Francë, Spanjë dhe Greqi tregojnë se sa shpejt kushtet ekstreme mund të tejkalojnë kapacitetet e zjarrfikësve dhe burimet në dispozicion.
Sipas bashkëautorit Profesor Thomas Hickler, pothuajse e gjithë rritja e zjarreve në pyje e vërejtur gjatë dekadave të fundit lidhet me aktivitetin njerëzor, ndërsa rritja e parashikuar në të ardhmen do të nxitet drejtpërdrejt nga emetimet njerëzore të gazeve serrë.
Edhe në një skenar me emetime të ulëta, ku rritja e temperaturës kufizohet në rreth 1.8°C, sipërfaqja e djegur në Evropë pritet të rritet me 39% deri në fund të shekullit. Studiuesit theksojnë se një pjesë e këtij rreziku është tashmë e pashmangshme për shkak të “inercisë termike”, pasi sistemi klimatik vazhdon të reagojë ndaj ngrohjes së shkaktuar nga emetimet e kaluara.
Megjithatë, përgatitja dhe menaxhimi më i mirë i zjarreve mund të kufizojnë ndjeshëm dëmet. Sipas simulimeve, përmirësimi i menaxhimit të zjarreve mund të ulë sipërfaqen e djegur deri në 92% në një skenar me rritje temperature prej 1.8°C dhe deri në 72% në një skenar me rritje prej 3.6°C. Studiuesit paralajmërojnë megjithatë se këto vlerësime mund të jenë tepër optimiste në skenarët më ekstremë, pasi zjarret shumë të mëdha mund të tejkalojnë kapacitetin njerëzor për t’i kontrolluar.
Ndërkohë, Evropa po përballet tashmë me një sezon veçanërisht të rëndë zjarresh. Në të gjithë Bashkimin Evropian janë djegur rreth 6,060 kilometra katrorë tokë, më shumë se dy herë e gjysmë mbi mesataren e 20 viteve të fundit për të njëjtën periudhë.
Studiuesit theksojnë se reduktimi i emetimeve të gazeve serrë, së bashku me investimet në parandalimin, monitorimin dhe menaxhimin e zjarreve, mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm. Por nëse temperaturat dhe kushtet ekstreme vazhdojnë të rriten, Evropa mund të përballet me një realitet ku zjarret bëhen më të shpeshta, më të mëdha dhe më të vështira për t’u kontrolluar.


