Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

“Mezi prisja ta nxirrja nga vetja”, Camilla rrëfen për herë të parë si mbajti të fshehtë sëmundjen e Karli III

schedule11:42 - 19 Gusht, 2026

schedule 11:42 - 19 Gusht, 2026

Mbretëresha Camilla ka folur për herë të parë për vështirësinë dhe presionin që përjetoi teksa mbante të fshehtë diagnozën e kancerit të bashkëshortit të saj, Mbretit Karli III.

Në një video të publikuar me rastin e 30-vjetorit të organizatës bamirëse Maggie’s, Camilla tregoi se sa e vështirë ishte të mos fliste për trajtimin e të shoqit gjatë një vizite zyrtare në një qendër për pacientët me kancer.

Në janar 2024, ajo inauguroi një qendër të re të Maggie’s në Royal Free Hospital në Londër. Në atë kohë, sapo kishte mësuar se Mbreti Karli III kishte kancer dhe do t’i nënshtrohej trajtimit, por nuk mund t’ia tregonte askujt pasi njoftimi zyrtar ende nuk ishte bërë publik.



“Askush nuk mund të thoshte asgjë në atë kohë, dhe kjo ishte mjaft e vështirë. Pothuajse thashë diçka, por ndjeva se nuk ishte momenti i duhur”, rrëfeu Camilla.

Ajo tha se mezi priste ta tregonte të vërtetën, por duhej të priste.

Diagnoza e Mbretit u bë publike më 5 shkurt 2024, vetëm pak ditë pas vizitës së Camillës në spital.

Më shumë se dy vjet më vonë, Karli III  vijon të marrë trajtim për kancerin. Pallati Buckingham ka deklaruar se gjendja e tij shëndetësore po ecën në një “drejtim pozitiv”.

Camilla tha gjithashtu se mënyra e Mbretit për ta përballuar sëmundjen ka qenë të vazhdojë me detyrat e tij zyrtare.

“Asgjë nuk e ndaloi. Ai thjesht tha: ‘Kjo është mënyra ime. Kështu do ta përballoj’”, tregoi ajo.

Gjatë vizitës në qendrën e kancerit, Camilla tha se e përjetoi situatën ndryshe, pasi tashmë e dinte nga afër atë që po kalonin shumë prej familjeve që takonte.

“Kur pashë të gjithë ata që vuanin dhe familjarët e tyre, kuptova edhe më shumë se sa të rëndësishme janë këto vende”, u shpreh ajo.

Mbreti Karli III nuk ka bërë publik llojin e kancerit nga i cili vuan, por që prej diagnozës ka qenë aktiv në mbështetjen e pacientëve me kancer.

Sipas Maggie’s, njoftimi publik i diagnozës së Mbretit solli një rritje prej 12% të numrit të burrave që iu drejtuan organizatës pasi ishin diagnostikuar me kancer.

Drejtuesja e Maggie’s, Dame Laura Lee, tha se hapja e Mbretit për sëmundjen e tij ka ndihmuar edhe të tjerë të flasin më lirshëm për diagnozat e tyre, ndërsa rrëfimi i Camillës ka nxjerrë në pah nevojën që edhe familjarët dhe miqtë e pacientëve të marrin mbështetje.

Maggie’s ka 27 qendra në të gjithë Britaninë e Madhe, të vendosura pranë spitaleve kryesore të NHS-së që trajtojnë pacientët me kancer.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!