Studentët e Universiteteve të ndryshme publike kanë rinisur protestat përpara Kryeministrisë për përgjysmimin e tarifave të studimit. Ministria e Arsimit ia lë përgjegjësinë universiteteve, ndërsa thotë se katër vitet e fundit nuk kanë ndryshuar.
Parrullën e shpalosën në Korpusin e Universitetit të Tiranës. Pasi u bënë bashkë marshuan drejt kryeministrisë.
Studentë të fakulteteve të ndryshme publike të organizuar nga Lëvizja për Universitetin kanë rinisur protestat për përgjysmim të tarifave të studimit.
Për provimet e mbartura studentët shprehen se duhet të paguajnë dyfish, ndërsa tarifën për çertifikimin e gjuhës së huaj e quajnë barrë të rëndë financiare.
Zgjidhjen e presin nga qeveria të cilës i kërkojnë gjithashtu t’i kthejë godinën historike fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.
Përgjigja erdhi nga Ministria e Arsimit, e cila përmes një komenti në facebook përgjegjësinë për tarifat ja lë universiteteve, ndonëse thotë se për nivelin e parë të studimeve janë të njëjta prej katër vitesh.
Ndërkohë studentët e Fakultetit të Gjeologji – Minierave do të vijojnë mësimin në godinën ekzistuese deri në sigurimin e mjediseve të reja, pasi vendimi për tjetërsimin e atij objekti është marrë që në vitin 2014./abcnews.al