Situata e krijuar nga zjarret në Mallakastër paraqitet më e qetë në zonat e Ngraçanit, Rribanit dhe Drenies, ku forcat në terren kanë arritur të vënë nën kontroll vatrat kryesore të flakëve.
Në operacion janë angazhuar reparti zjarrfikës i Mallakastrës në Ngraçan dhe Rriban, me mbështetjen e forcave zjarrfikëse nga Fieri, si dhe reparti zjarrfikës i Patosit në zonën e Drenies. Gjithashtu, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura janë shpërndarë në zonat e prekura për të ndihmuar në izolimin e zjarreve.
Prej orëve të para të mëngjesit, dy helikopterë kanë operuar pa ndërprerje nga ajri, duke ndihmuar në shuarjen dhe izolimin e vatrave aktive.
Sipas autoriteteve, deri më tani është arritur të izolohen vatrat e zjarrit dhe të mbahen larg qendrave të banuara, ndërsa operacioni vijon për shuarjen e plotë të flakëve.
Zjarri në Mallakastër ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa forcat në terren mbeten të angazhuara për të parandaluar riaktivizimin e vatrave. / abcnews.al/



