Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përpjekje të hapur për kapjen e të gjitha institucioneve shtetërore, përfshirë gjyqësorin, presidencën dhe mediat.
Në një intervistë për “Balkan Update”, Gjini i cilësoi këto veprime si antidemokratike dhe deklaroi se ftesa e Kurtit për takime nuk është e sinqertë, ndaj opozita nuk ka asnjë arsye të ulet në tryezë me të.
Ai nënvizoi se prioriteti i partisë së tij mbetet përmirësimi i jetesës së qytetarëve, si dhe realizimi i projekteve infrastrukturore e marrëveshjeve strategjike për gazin e lëngshëm amerikan. Po ashtu, ai paralajmëroi se skena politike në Kosovë do të ndryshojë shumë shpejt, ndërsa oferta e tyre me gjashtë pika mbetet në shërbim të interesit publik.
“Është fokusuar te kapja e të gjitha institucioneve të shtetit. Është e pamjaftueshme për të që të udhëheqë vetëm qeverinë e Kosovës, por kërkon që të kontrollojë edhe presidencën, edhe parlamentin, edhe gjyqësorin apo edhe mediat. Kemi të bëjmë me akte antidemokratike. Insistimi i Kurtit është që të kontrollojë të gjitha institucionet e vendit dhe jo se si duhet të qeverisë vendin.
Nuk besoj që takim mes meje dhe Kurtit do të ndodhë. Ne insistojmë që Kosova të ecë përpara. Të bëjë marrëveshjen me gazin e lëngshëm amerikan, të bëhen të gjithë projektet infrastrukturore. Ne nuk kemi asnjë arsye që të ulemi në tryezë me Kurtin. Nuk duam pushtet, nuk duam poste.
Por pjesën tonë e vendosim në atë që është rregullimi i jetesës së qytetarëve. Ne nuk ulemi në tavolinë, për aq kohë sa nuk kemi se çfarë të bisedojmë. Ftesa e Kurtit nuk është e sinqertë. Jemi pro ngritjes së institucioneve, por ai nuk do diskutim. Skena politike e Kosovës do të ndryshojë shumë shpejt. Oferta jonë me gjashtë pika nuk është vetjake”, tha Gjini.


