Ndodh rrallë që një ekip të pësojë dy gola, të humbasë ndeshjen dhe më i miri të shpallet portieri. Spal po vuan dhe renditet në vend të fundit, ndërsa Etrit Berisha po shkëlqen. Portieri nga Prishtina zhvilloi një tjetër performancë pozitive ndaj Veronës, në “derbin” e humbur 0-2 kundër Marash Kumbullës dhe Amir Rrahmanit.
Me notën 7.5 është vlerësuar ndeshja e Berishës nga mediet italiane, duke qenë më i vlerësuari i ekipit të tij. “Mban Spal në lojë ashtu siç mundet. Ndërhyrje e mrekullueshme ndaj Rrahmanit në pjesën e parë dhe një, më saktë dy pritje ndaj Pazzinit në të dytën“, shkruhet në koment.
Vlerësim pozitiv edhe për dy mbrojtësit e Veronës. Si Kumbulla dhe Rrahmani u aktivizuan gjatë gjithë takimit, teksa i pari mori notën 6.5 ndërsa i dyti 7. “Nuk është më surprizë. Perfekt në markim dhe mban larg zonës Petagna. Është një nga protagonistët absolutë të përrallës Verona“, lexohet në komentin për Kumbullën.
Po kaq fjalë të mira edhe për Amir Rrahmanin. “Punës së përsosur në mbrojtje si gjithmonë i shtohet dëshira e pazakontë për të shënuar. Përpiqet me anë të një inkursioni në pjesën e parë dhe me një goditje precize në të dytën“.
Festë pati edhe për Thomas Strakoshën. Portieri dhe Lazio arritën fitoren e nëntë radhazi në kampionat, teksa portieri shqiptar u vlerësua me notën 6. “Balotelli e befason nga shumë afër, por nuk ka nevojë të presë asnjë gjuajtje në pjesën e mbetur të lojës“, lexohet në vlerësimin për të. /abcnews.al