Shtetet e Bashkuara, Irani dhe Omani thuhet se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje paraprake për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një zhvillim që mund të ulë ndjeshëm tensionet në rajon dhe të hapë rrugën për rifillimin e dialogut mbi programin bërthamor iranian.
Sipas burimeve rajonale dhe një zyrtari amerikan të cituar nga Axios, Uashingtoni synon që marrëveshja të shpallet gjatë së mërkurës, 5 gusht. Negociatat kanë zgjatur prej disa javësh dhe synojnë të konsolidojnë armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe të krijojnë kushtet për rifillimin e bisedimeve mbi çështjen bërthamore.
Drafti i marrëveshjes parashikon vendosjen e një mekanizmi të përkohshëm 60-ditor, me mundësi zgjatjeje, për menaxhimin dhe rregullimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur qëndrimin e tij të ashpër ndaj Teheranit, duke deklaruar se Ngushtica e Hormuzit “do të rihapet së shpejti ose do të ketë një goditje shumë serioze”, duke shtuar presionin mbi palët për arritjen e një marrëveshjeje.


