Emocionet ishin vërtet të mëdha. Tre sezone kaluan si një shaka dhe përjetimet ishin të fuqishme. Këto u ndjenë nga të gjithë ndërsa Mirlind Daku luajti atë që mund të quhet ndeshja e tij e fundit për Rubinin e Kazanjit.
Karrierën do ta vazhdojë në Moskë tek Spartaku.
Sulmuesi shqiptar u mallëngjye fort që përpara sfidës ndaj Akronit në Premier Ligën e Rusisë, ndërsa trajneri Artiga po shpjegonte taktikën. Kjo nuk e pengoi të jepte maksimumin e mundshëm, e madje të shënonte gol, që ishte rrjeta e dytë në javën e dytë të kampionatit.
Fitorja 2-1 ishte e rëndësishme, ndërsa momentet pas saj do të ishin të vështira, sidomos për Dakun. Edhe pse njihet si burrë i fortë, dikur si një djalë rruge, edhe pse pati edhe dënim nga UEFA për shpërthimin e gabuar kundër maqedonasve pas ndeshjes në Euro 2024 ndaj Kroacisë, sërish ai tregoi anën e tij njerëzore.
U përqafua me trajnerin, dhe me lojtarët e tjerë të ekipit, që më pas e ngritën në ajër, sikur të kishin fituar ndonjë trofe të madh.
Kishin arsye, sidoqoftë. Daku shënoi 38 gola e shërbeu 13 asistë në 93 ndeshje me fanelën e klubit nga Tatarstani, dhe thuajse të gjithë në Premier Ligën e Rusisë.
Ai ishte si një udhëheqës, njeriu që disa herë mbajti mbi supe i vetëm sulmin, dhe mungesa e tij do të ndihet, ndonëse klubi dhe skuadra gjithmonë vlejnë më shumë se një lojtar, sado I mirë që të jetë.
Në dhomën e zhveshjes, Daku pati emocione të tjera dhe nuk kishte faj. Ai u nda nga shokët me të cilët kaloi 3 vjet të jetës, duke qenë më pranë tyre sesa familjes.
Trajneri Artiga e cilësoi një hero të Rubinin, me një kontribut të madh.
Vetë Daku, falenderoi klubin për 3 vite të shkëlqyer siç i quajti ai, dhe premtoi se nuk do t’i harronte kurrë.
Sulmuesi I kombëtares shqiptare kaloi tek Spartaku i Moskës për 11 milionë euro me kontratë 3-vjeçare me të drejtë për ta zgjatur edhe një sezon dhe me rrogë 3.5 milionë euro në vit.


