MIRDITË– Pas disa dekadash, Eminenca e tij, Kardinali Ernest Troshan Simoni rikthehet në Spaç, në burgun ku dikur iu mohua liria dhe ku ndau vuajtjet me qindra të burgosur politikë.
Në oborrin e ish-burgut, mes mureve që mbajnë ende gjurmët e së shkuarës, Kardinali kremton Meshën e Shenjtë ne prani te ish-të përndjekur politikë, besimtarë të shumtë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, në nder të të gjithë atyre që u dënuan, u pushkatuan apo ende nuk kanë një varr.
Duke kujtuar vitet e persekutimit ai rrëfeu edhe akuzat për të cilat u dënua nga regjimi komunist. Për jetën e tij në shërbim të fesë dhe qëndresën përballë persekutimit komunist, Kardinali Ernest Troshan Simoni nderohet me një dekoratë mirënjohjeje.
Ceremonia përcillet edhe nga një mesazh i Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV.
Në letrën e ardhur nga Vatikani, Spaçi përshkruhet si një vend martirizimi dhe shprese, ndërsa kujtesa e atyre që sakrifikuan jetën cilësohet një thirrje e përhershme për liri, dinjitet njerëzor dhe paqe./abcnews.al


